Paris SG- Barcelona do të jetë një tjetër përballje emocionuese e Champions League. Kampionët e Francës, shfaqen si favorit, megjithatë këtë duhet ta tregojnë në fushë.

Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, deklaroi në konferencën për mediat, se përballja me ish-ekipin e tij do të jetë speciale.

“Për mua është një ndeshje e veçantë. Kam një raport dashurie me Barçën, por profesioni vjen mbi të gjitha. Dua me të vërtetë që kjo ndeshje të jetë në lartësinë e saj. Nuk më intereson roli i favoritit. Kur të nisë të luhet topi, do të shohim se kush do të jetë favorit, kjo nuk më shqetëson. Preferoj që të mos jem favorit”, dekalroi Enrique.

Sa i përket shanseve për të fituar kompeticionin, trajneri spanjoll u shpreh: “Politika e klubit ka ndryshuar në këtë sezon. E keni parë largimin e yjeve, idetë e mia dhe të klubit shkojnë në të njëjtin drejtim. Mendoj se nuk është pozitive që ta vini në presion një skuadër që nuk e ka fituar kurrë këtë trofeun. Mund ta fitojmë, por rruga është ende e gjatë. Jam ambicioz dhe i emocionuar”, shtoi Enrique, i cili u ndal edhe tek fakti se kush ndërmjet tij dhe Xavi Hernandez e përfaqëson me mirë stilin e Barçës.

“Jam përfaqësuesi më i madh i stilit të lojës së Barçës. Shikoni statistikat e qarkullimit të topit, titujt, jam unë padiskutim”, theksoi Enrique.