Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Lugina e Errët”, duke arrestuar një 53-vjeçar që dyshohet se po përgatitej të vidhte një banesë në zonën e Farkës.

Sipas policisë, shërbimet e Komisariatit Nr. 1 ndërhynë në kohë dhe e kapën në flagrancë shtetasin A. K., banues në Durrës, në momentin që po tentonte të futej në banesë.

Gjatë kontrollit, atij iu gjet një armë zjarri pistoletë me municion, si dhe mjete që dyshohet se përdoren për vjedhje, përfshirë kaçavida, pinca, doreza, maskë dhe kapele.

Policia thotë se 53-vjeçari ka precedent të mëparshëm për vepra penale kundër personit dhe pronës.

Nga hetimet ka rezultuar se ai dyshohet edhe për dy raste të tjera vjedhjeje dhe tentative vjedhjeje në të njëjtën zonë. Më 31 maj 2026 dyshohet se ka vjedhur para në një banesë në Farkë, ndërsa më 5 qershor 2026 dyshohet se ka tentuar një tjetër vjedhje.

Materialet janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.