Në udhëtimin e tij historik drejt Vlorës, pajtoni ku udhëtonte Ismail Qemali drejtohej nga Haki Tafa, një i ri nga qyteti i Kavajës. Djali i tij Nazimi, oficer në pension, prej vitesh banon në Durrës dhe sa herë që afrohet përvjetori i shpalljes së pavarëisë ai sjell ndër mend kujtimet e të atit. Ai udhëtim ishte një nga ngjarjet më të shënuara në memorien e Hakiut dhe kujtimet për këtë ndodhi të paharrueshme të jetës së tij ai i ndante shpesh me fëmijët e tij.
Organizimi i udhëtimit historik me pajton
Hakiu ishte më i riu në familjen Tafa nga Luzi i Madh i Kavajës. 5 ditë para ardhjes së Ismailit, miku i Hakiut, Qazim Merhori i dërgon fjalë në një nga kafenetë e asaj periudhe të Kavajës për ta takuar. Hakiu ka kujtuar më pas gjithnjë në bisedat me fëmijët dhe nipërit se si u zhvillua biseda në atë takim: “Pasi u përshëndetëm me njëri tjetrin Qazimi më drejtohet me një të folur të ngadalshme: Haki, besoj se e ke marrë vesh se këto ditë do të ngrihet Flamuri i Pavarësisë. Ne do ta shoqërojmë në besën tonë Ismail Beun për në Vlorë. Duam që të jesh ti me ne, se tek ty besojmë. Rruga është me rrezik, pasi mund të ketë edhe prita”,- tregon Nazimi për bisedën e të atit me një mikun e tij në ato ditë.
Pasi Hakiu ka rënë dakort që ta shoqërojë Ismailin drejt Vlorës, Qazimi i ka treguar edhe itinerarin e rrugëtimit historik dhe shkaqet e shmangies nga rrugët e zakonshme Durrës-Vlorë. “Ismaili do të zbresë tek kryporja dhe ne do ta presim atje. Ti me karrocën tënde dhe kuajt e fortë që ke do ta kalosh mikun me gjithë shoqëruesit që ka pas vetes nëpër rrugëkalimin Karpen, Bago, Corrum, Zhabjak, Ballaj dhe do të kaloni nëpër vahun e Shelbashtovës, afër kalasë së Bashtovës. Më pas kalimi do të bëhet nëpër Divjakë, Cermë e me rradhë Seman dhe në Vlorë”,- i thoshte në atë kohë Qazim Merhori Haki Tafës.
Shoqërimi do të bëhej nga Merhori dhe Bajram Xhani në krye të kolonës, për të mbajtur rrugën nën kontroll në formën e një pararoje, për t’u përballur me ushtarë turq ose keqbërës të paguar për të mos i lënë të shtegtonin. Nazim Tafa rrëfen se babai i tij i kishte thënë mikut, pasi e kishte dëgjuar me vëmendje, se këtë punë do ta kryente me jetë. Hakiu u tregonte fëmijëve të tij dhe miqve edhe për momentin e zbritjes së Ismail Qemalit nga varka në bregun e Kripores. Plaku i Vlorës kishte lundruar me grupin e hipur në një fllugë me 2 barka të vogla.
Kur Ismail Qemali ngriti flamurin, ai gjeti rastin dhe i thirri miqtë e vet kavajas dhe qeraxhinë për t’u paguar hakun. Po ata e refuzuan këtë duke i thënë se ata nuk kishin shkuar për paratë, por për të ngritur flamurin. Atëherë ai u ka dhënë të gjithëve nga një napoleon të artë që ta kishin për rrugës kur të ktheheshin
“Kur zbritën janë përshëndetur dhe takimi kishte qenë shumë prekës për Hakiun. Kolona e shkurtër është nisur e prirë nga Bajram Xhani, fshatar nga Luzi i Madh i Kavajës, i cili ishte komandant i nje çete atdhetare në zonë që më vonë u var nga Ahmet Zogu në Shijak”,- kujton djali i Hakiut, Nazimi. Ndërkohë Qazim Merhori me disa patriotë të tjerë kavajas siguronin kolonën gjatë rrugëtimit, pasi gjatë rrugës shumë fshatarë donin të udhëtonin drejt Vlorës për ngritjen e flamurit.
Në moçalishten e Çermës pajtoni i Hakiut është prishur dhe Ismail Qemali i është drejtuar: “Zoti Haki është e pamundur që të vazhdosh me këtë karrocë më tej. Kthehu dhe të falenderojmë për shërbimin që na bëre. Unë mund të udhëtoj i hipur edhe mbi kalë”. Ndërsa Hakiu i është përgjigjur se ai dhe të gjithë miqtë e tij, pajtonin ia kishin lënë në shërbim të tij.
Kur Ismail Qemali ngriti flamurin, ai gjeti rastin dhe i thirri miqtë e vet kavajas dhe qeraxhinë për t’u paguar hakun. Po ata e refuzuan këtë duke i thënë se ata nuk kishin shkuar për paratë, por për të ngritur flamurin. Atëherë ai u ka dhënë të gjithëve nga një napoleon të artë që ta kishin për rrugës kur të ktheheshin.
Jeta e shoqëruesit të Ismail Qemalit
Personazhi i karrocierit është fiksuar edhe në filmin artistik “Nëntori i Dytë”. Hakiu është rritur në familjen e Halil e Fatime Tafës me 5 djem; Aliun, Azbiun, Hajdarin, Kasemin dhe Hakiun që ishte dhe më i vogli. Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1913, i ati i tyre duke iu përgjigjur thirrjes për të dërguar mbrojtës në Shkodër “Burrë për derë” ka vendosur që të dërgojë atje 3 djem Aliun Kasemin dhe Hakiun, shoqëruesin e Iamail Qemalit ne Vlorë.
Në një nga betejat e shumta dhe mjaft të ashpra që janë zhvilluar në mbrojtje të qytetit të Shkodrës kundër pushtuesve serbo–malazezë, krahas humbjeve të shumta që kanë pasur sulmuesit, kanë rënë nga forcat tona edhe 28 luftëtarë. Ndër të vrarët ishin edhe 2 vëllezërit Tafa, Aliu dhe Kasemi. Vëllai i tretë, shoqëruesi i Plakut të Vlorës, plagoset rëndë, për të mbrojtur shtetin e ri që shovinistët fqinjë donin ta mbysnin që në djep. Ky është një ndër rastet e shumta të patrotizmit popullor dhe frymës rilindase se “Fund e majë një asht Shqipëria”.
Tafajt luftuan për ngritjen e flamurit ne Vlorë dhe derdhën gjak për mbrojtjen e kufirit verior të shtetit të ri në Shkodër. Nga plagët e marra Hakiu ka lënguar në shtrat rreth 3 vite duke u mjekuar me kura popullore. Ai mbeti invalid gjatë gjithë jetës së tij. Vdiq në vitin 1969 ne moshën 85 vjeçare.