Gazetari Lavdrim Lita tha se vrasja e Ardian Nikulaj, ka shumë gjasa të jetë një atentat politik dhe se policia dhe segmente të tjera politike, po mundohen ta fokusojnë çështjen te pista e gjakmarrjes.

I ftuar në Euronews Albania, gazetari Lita shpjegoi se Nikulaj kishte shumë rëndësi politike në Shëngjin, ndaj nuk duhet të përjashtohet pista e atentatit politik.

“Po shikoj një përpjekje të policisë së shtetit dhe të disa segmenteve politikë që po tentojnë ta katalizojnë këtë çështje në çështjen e hakmarrjes duke përjashtuar çështjen e pistës politike, për të cilën unë jam shprehur një herë dhe mendoj se ka më shumë gjasa të jetë një atentat politik, se sa një tentativë e suksesshme hakmarrje apo gjakmarrje.

Kjo sepse personi në fjalë lëvizte i lirshëm në zonën e Shëngjinit dhe nuk janë të vërteta informacionet për makina të blindura, ai kishte një jetë sociale shumë të gjallë në atë zonë.

Kushdo që donte t’i bënte atentat, mund ta bënte në çdo kohë. Pista politike po përjashtohet sepse harrohet që zoti Ardian Marku, kishte një valencë politike në Shëngjin, përmes bizneseve të tij dhe me tenderin e pastrimit, kishte të punësuar qindra familje, që mund të përktheheshin deri në 5000 vota në zonën e Lezhës. Ne e dimë që kishte ndërruar dhe partnerin politik dhe favorizonte kandidatin e opozitës së bashkuar Pashk Gjonin”,-tha për Euronews Albania gazetari Lavdrim Lita.