Deputeti Eduard Halimi ka akuzuar Bashkinë e Durrësit se ka bllokuar procesin e ndarjes së banesave për rreth 120 familje durrsake. Sipas Halimit, Bashkia në mënyrë të papërgjegjshme po vonon ndarjen e banesave, në një kohë që një pjesë e familjeve durrsake kanë probleme emergjente strehimi në kushtet e temperaturave të ulëta që kanë përfshirë qytetin. Halimi ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Durrësit Dako se nuk do t´ia dijë për problemet që kanë qytetarët, gjë që po e dëshmon me vonesat e pajustifikueshme në procesin e ndarjes së apartamenteve. Nga ana tjetër Halimi ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, se “po bën sehir” përballë fenomenit të ndërtimeve pa leje në Durrës. Sipas Halimit, Dako po lejon shtesa pallatesh shumëkatëshe të ngrihen në qytet, ndonëse i janë aprovuar fondet për prishjen e të paktën një prej shtesave të një ndërtese gjigante në qytet. “Shikoni një pallat shumëkatësh se si po lartohet në Durrës dhe kryebashkiaku nuk e shikon nga ballkoni i bashkisë”, është shprehur Halimi për gazetën “Dyrrah“. Halimi ka shtruar gjithashtu pyetjen se ç´po bëhet me këto fonde për prishjen e shtesave të paligjshme, duke aluduar për keqmenaxhim të tyre. Duke ju referuar çështjes që ka të bëjë me hipotekimin e shtesave të pallateve në Durrës në modelin e kryeqytetit, në kushtet kur kryebashkiakët socialistë e kanë konsideruar të paligjshëm këtë proces, Halimi ka deklaruar se me miratimin e ligjit ky model do të jetë detyrimisht i zbatueshëm për Durrësin dhe për qytetet të tjera të mëdha, ndonëse problematika e këtyre qyteteve nuk është e njëjtë me atë të Tiranës. “Ligji do të jetë i njëjtë për t’u zbatuar nga të gjithë”, ka shtuar ai. Sipas deputetit, mbi të gjitha duhen parë interesat e qytetarëve dhe ligjet duhen bërë në dobi të këtyre interesave. Halimi ka akuzuar gjithashtu kryebashkiakun Dako se nuk po mban premtimet elektorale për disa projekte të rëndësishme që kish marrë përsipër. Sipas tij asnjë prej projekteve të rëndësishme që janë premtuar në fushatë nga ana e Bashkisë së Durrësit nuk janë zbatuar, gjë që sipas tij do të thotë se bashkia po i zhgënjen qytetarët. Ndërkohë deputeti Halimi ka deklaruar se së shpejti pritet që të implementohet projekti për strehimin e familjeve rome në zonën e NISH-Tullës në Durrës, projekt i cili pritet që të zgjidhë problemin e strehimit për një pjesë të kësaj popullsie në Durrës.