Zonat me mbi 5800 familje furnizohen pa ndërprerje me ujë të pijshëm, zonat qendrore të qytetit të Durrësit furnizohen me mbi 5 orë ujë në ditë, zonat periferike që janë në proçes rikonstruksioni furnizohen me mbi 2 orë ujë në ditë

Deputeti i PD-së Eduard Halimi ka deklaruar në një prononcim për gazetën “Dyrrah“ se ky sezon turistik po jep frytet e investimeve të fuqishme që qeveria shqiptare ka bërë në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës turistike, si dhe duke zgjidhur përfundimisht problemet e furnizimit me ujë të pijshëm. Sipas Halimit, ky realitet po preket gjithnjë dhe më tepër nga qytetarët, të cilët po shikojnë se si ka ndryshuar imazhi i turizmit dhe vendit me mazhorancën aktuale. Duke ju referuar akuzave të opozitës në lidhje me situatën problematike në sektorin e turizmit, Halimi ka deklaruar se akuzat janë jashtë kontekstit të realitetit, qesharake dhe me karakter politik…

Z Halimi, ka pasur akuza të forta nga opozita në lidhje me situatën e furnizimit me ujë të pijshëm në Durrës. Cili është komenti juaj?

Është një realitet i padiskutueshëm tashmë që situata e furnizimit me ujë të pijshëm në Durrës dhe në zonën turistike të plazhit jo vetëm që është përmirësuar, por ka arritur në standarte të paimagjinueshme disa vite më parë. Falë investimeve të rëndësishme që janë realizuar në Durrës ka një rritje drastike të orareve të furnizimit me ujë të pijshëm. Më konkretisht zonat me mbi 5800 familje furnizohen pa ndërprerje me ujë të pijshëm, zonat qendrore të qytetit të Durrësit furnizohen me mbi 5 orë ujë në ditë, zonat periferike që janë në proçes rikonstruksioni furnizohen me mbi 2 orë ujë në ditë etj. Shikoni se si është situata aktualisht në zonën e plazhit të madh të Durrësit dhe veçanërisht në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku ka furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm.

Mjafton që t´ju përmend disa investime të rëndësishme që janë realizuar në Durrës dhe që kanë ndikuar në përmirësimin cilësor të situatës së furnizimit me ujë. Mjafton t´ju kujtoj investimin prej 40 milionë lekësh në segmentin Plepa-Përroi i Agait ku është garantuar furnizimi me 24 orë ujë në ditë për rreth 350 objekte, investimi prej 1 miliard e 100 milionë lekësh në zonën e plazhit, investimi që do të përfundojë në datën 15 Gusht ose një muaj para afatit, investimi prej 25 milionë lekësh në Shkozet, i cili garantoi 24 orë furnizim me ujë të pijshëm për 1500 familje apo dhe projekte të tjera që janë në proçes apo që do të realizohen në Sukth, Perlat, lagja Kodër etj. Përsa i përket akuzave të opozitës do të thosha se janë shumë qesharake, pasi janë shumë larg realitetit. Realiteti tregon se Durrësi në përgjithësi dhe zona turistike në veçanti ka një përmirësim të ndjeshëm me ujë të pijshëm dhe kjo me sa duket nuk i pëlqen disa përfaqësuesve të opozitës.

Si e shpjegoni faktin që zona turistike ka akoma probleme përsa i përket sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha?

Edhe në lidhje me këtë problematikë mund të them se qeveria shqiptare po investon fuqishëm dhe një pjesë e zonave kanë një përmirësim të ndjeshëm në këtë drejtim, por me përfundimin e të gjithë investimit do të zgjidhet përfundimisht problematika përsa i përket kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha. Është kjo qeveri që do ta zgjidhë përfundimisht këtë problem të trashëguar që nga koha që drejtonin socialistët. Ne po i zgjidhim të gjitha problemet e turizmit dhe ja kemi ndryshuar imazhin vendit. Shqipëria tashmë është një destinacion interesant turistik, falë dhe këtyre investimeve të rëndësishme që ka kryer qeveria shqiptare. Shikoni plazhin e Currilave që prej vitesh ka qenë gangrenë përsa i përket derdhjes së ujërave të zeza apo të bardha. Tashmë situata ka ndryshuar katërcipërisht. Ne punojmë, ndërsa PS shpif. Ky është ndryshimi në mes nesh dhe tyre.

Një nga problemet e Durrësit është dhe strehimi. Ç‘po bëhet nga qeveria në këtë drejtim?

Ju keni qenë dhe jeni koshient se investimet e qeverisë dhe në këtë drejtim nuk kanë munguar, ndonëse është një problematikë për qytetet e mëdha. Unë nuk e kuptoj se si akoma Bashkia e Durrësit nuk ka bërë ndarjet e apartamenteve për të pastrehët, kur nevojat janë kaq emergjente.

Si e shpjegoni faktin që nuk po investohet për një rrugë të dytë hyrëse për Durrësin, në një kohë që Bashkia e ka gati projektin?

Çdo gjë duhet bërë sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, duke respektuar të drejtën e pronës dhe kritere të tjera. Përsa i përket investimeve në infrastrukturë, qeveria shqiptare ka treguar se ka bërë shumë në këtë drejtim. Para disa javësh u inagurua Terminali i Pasagjerëve në portin e Durrësit, që jo vetëm është i parametrave europianë, por dhe i ka përmirësuar dukshëm kushtet për pasagjerët shqiptarë dhe të huaj që kalojnë përmes këtij porti. Një investim që ndjek investime të tjera që ia kanë ndryshuar imazhin jo vetëm portit më të madh të vendit, por edhe Shqipërisë. Sigurisht do të vazhdojmë në këtë rrugë, pavarësisht se çfarë thotë një pjesë e opozitës.