Për të gjithë të apasionuarit pas sportit të futbollit, ditën  e sotme në zonën e Sektor Rinisë në qytetin e Durrësit është hapur akademia e futbollit “Shqiponjat”, nga investitorët Besmir, në pozicionin e presidentit, Bujar dhe Luan Domi, administratorë.

Pasioni për të bërë diçka të re për futbollin në Durrës, është ajo çfarë bëri bashkë krijuesit e akademisë, me objektivin e vetëm, ngritja e ekipeve të çdo moshe, deri tek të rriturit nëpërmjet infrastrukturës moderne si dhe përmes punës së trajnerëve profesionist Albert Bozhanaj, Agron Kërçova dhe Julian Rakipi, nën kujdesin e mjekut Astrit Zhupaj.

Me moton “Edukim dhe Sport” fjalën përshëndetëse gjatë inaugurimit të akademisë e mori mjeshtri i sportit, i cilësuar si “Messi” i futbollit shqiptar, njëkohësisht drejtor sportiv në “Shqiponjat”, profesor Sulejman Demollari.

Demollari bëri me dije se në procesin e mësimdhënies, do të ndiqet metoda bashkëkohore e stërvitjes e miratuar nga vetë UEFA, FIFA dhe FSHF, për grupmoshën 6 deri në 18 vjeç.

Sipas drejtorit sportiv, programet e stërvitjes do të jenë në të njëjtën linjë për të gjitha grupmoshat.

Për të qenë pjesë e akademisë “Shqiponjat” mjafton të duash sportin e futbollit dhe të paraqitesh në kompleksin Olimpik Park në Sektor Rinia.

G.D.