Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu vizitoi sot Urgjencën e re Polivalente, e cila ka filluar funksionimin e saj me kushte optimale, duke e bërë atë plotësisht funksionale.

Manastirliu shprehet se tashmë kjo urgjencë i ka hapur dyert për të pritur pacientët dhe se është shtuar numri i infermierëve dhe mjekëve për një shërbim sa më të mirë dhe të shpejtë.

“Jemi të kënaqur që kemi arritur këtë standard që tashmë bëhet funksional i gjithë Spitali Qendror. Me integrimin e urgjencës Polivalente që e kishim lënë në fazën e fundit hyrjen dhe funksionimin e saj pikërisht për arsye se donim që të 14 shërbimet të ishin të integruara së pari në këtë spital të fillonte puna dhe me Urgjencën Polivalente që tashmë i ka hapur dyert po pret dhe trajton pacientë.

Ne kemi arritur në 100% të shfrytëzimit të kapaciteteve të këtij spitali. Urgjenca Polivalente në QSUT pret rreth 100 mijë në vit, pra kemi një fluks të madh pacientësh. Është një urgjencë që ka kapacitete të mjaftueshme për nga pikëpamja e organizimit strukturor. Ajo që ne kemi vendosur është që të shtojmë numrin e infermiereve dhe të mjekeve në urgjencë në mënyrë që ne të kemi një rritje të kapaciteteve përsa i përket burimeve njerëzore.

Integrimi i punës do jetë sipas një rregulli të përcaktuar sepse dhe organizimi dhe funksionaliteti i hapësirave është tërësisht tjetër nga ai që kishim më parë. Imazheria është e e përqendruar dhe e stacionuar, laboratori në kohë reale jep të gjitha analizat dhe ekzaminimet e kryera sipas një korridori të shpejtë që ne kemi përcaktuar.

Është vepra më e madhe në shëndetësi, e kemi bërë në kohë reale dhe shpresoj të kemi një cilësi të urgjencës Poliventale. Stafet janë më të motivuar për të bërë një punë të mirë. Rritja e pagave bëhet në maj dhe është një motivim për të punuar më mirë, më shumë dhe më shumë cilësi”, u shpreh Manastirliu.