Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se Kosova do të bëhet qendër e qarkullimit të mallrave dhe qytetarëve në Ballkan me fillimin e punës së hekurudhës me Shqipërinë. Derisa, kanë kërkuar që hekurudha të jetë me dy linja.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka përshëndetur vendimin e marrë në takimin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, përmes së cilit janë koordinuar për ndërtimin e projektit tregtar në Porto-Romano, integrimi me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe Porti i Thatë në Kosovë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë konsideron që ky vendim do të ndikojë pozitivisht në rritje të stabilitetit, sigurisë si dhe zhvillimit ekonomik në vend duke rritur shpejtësinë e qarkullimit dhe duke ulur kostot e transportit dhe lëvizjes së qytetarëve.

Sipas Dhomës, me fillimin e punës se Hekurudhës, Kosova do të bëhet qendër e qarkullimit të mallrave dhe qytetarëve në Ballkan.

“Megjithatë, konsiderojmë që hekurudha duhet të jetë me dy linja, që njëkohësisht të mund të kemi edhe vajtje edhe ardhje, sepse duke qenë dydrejtimëshe ofron shumë më shumë mundësi”, thuhet në komunikatën për media.

Dhoma e Tregtisë konsideron se ndërtimi i hekurudhës me një linjë as për së afërmi nuk i plotëson kërkesat e bizneseve e të qytetarëve për të rritur shpejtësinë e dërgimit të mallrave dhe qarkullimit të qytetarëve.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë përkrahë iniciativat të cilat rrisin bashkëpunimin kombëtarë, si dhe ndikojnë pozitivisht në ekonominë e dy shteteve.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ditë më parë pati deklaruar se kostoja e studimit të fizibilitetit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë do të kushtojë 1 milion e 980 mijë euro.

“Kjo marrëveshje bashkëfinancimi ka për qëllim përcaktimin e procedurave dhe ndarjen e kostove në mes dy vendeve  për financimin, studimin e fizibilitetit dhe projektidesë për këtë linjë hekurudhore. Kostoja totale për realizimin e studimit të fizibilitetit dhe projektidesë për ndërtimin e linjës hekurudhore parashihet të jetë 1 milionë e 980 mijë euro”.

Aliu ka treguar se shuma e këtyre parave do të ndahen në mes të dy shteteve.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë do të ndaj shumën prej 1 milion euro, ndërsa Ministria e Infrastrukturës së Kosovës do të ndaj shumën e 980 mijë eurove.  Kjo kosto është përfshirë në buxhetin e vitit 2022 të Ministrisë që ai drejton me autorizim të Qeverisë së Kosovës”.

Kosova dhe Shqipëria, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, e cila u mbajt më 2 tetor 2020 në Tiranë, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës.

Ky memorandum ka të bëjë me pikën e marrëveshjes së nënshkruar në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku të dyja palët janë pajtuar se do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd- Prishtinë, me një port në det të thellë në Adriatik.

Linja hekurudhore Durrës- Prishtinë-Merdarë do vazhdojë në Nish.

Ministritë e të dy qeverive ( Kosovës dhe Shqipërisë) janë dakorduar që të lëvizin shpejt në përgatitjen e plotë të studimit të fizibilitetit dhe sigurimit të fondeve nga SHBA-ja BE-ja dhe buxhetet e të dy qeverive.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës, kanë një tren të rregullt, që quhet “treni i shpejtë”, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë – Shkup – Prishtinë./Monitor.al/