31 korrik 2015 – Trajneri Mirel Josa në stërvitjen e së enjtes nuk ka pasur disa prej titullarëve të skuadrës.

Duket e pabesueshme, por sipas asaj që shkruan gazeta ‘Shekulli’, janë helmuar disa lojtarë të skuadrës së Skënderbeut. Këtë e ka thënë trajneri i klubit të shqipërisë, Mirel Josa, në një intervistë për këtë të përditshme, ku sipas tij në stërvitjen e së enjtes nuk ka pasur pjesën më të madhe të lojtarëve. E gjithë kjo situatë sipas trajnerit Mirel Josa ka ardhur pas një helmimi në darkën e kthimit, ku ekipi ka darkuar në aeroport.

"Të gjithë lojtarët më kanë vënë në dijeni për gjendjen e tyre shëndetësore vetëm të enjten në mëngjes", tha për “Shekullin” kryepankina korçare, një pjesë prej të cilëve nuk kanë qenë në gjendje të dalin as në stërvitje. Më e rëndë gjendja paraqitet për Shehin, Berishën e Jashanicën. Këta dy të fundit janë parë në spitalin e qytetit juglindor për mjekim më të specializuar, pasi gjendja e tyre ka qenë më kritike. Në një situatë të tillë edhe Josa është tejet i shqetësuar, pasi ndeshja e dytë me moldavët pothuajse ka ardhur.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/