11 gusht 2015 – Në një prej ambienteve të FSHF-së është hedhur sot shorti i kampionatit kombëtar të kategorisë së parë. Të pranishëm në hedhjen e shortit ishin të gjithë përfaqësuesit e klubeve pjesëmarrëse në këtë kategori. Shorti u hodh nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit Ilir Shulku dhe përgjegjësi i Sektorit të Garave Lysien Nurishmi.

Ashtu si edhe në kampionatin e kaluar, në kategorinë e parë skuadrat janë të ndara në dy grupe A dhe B, dhe në fund të kampionatit në kategorinë superiore ngjiten dy skuadra, e para e grupit A dhe e para e grupit B. Dy skuadrat e qarkut të Durrësit, Kastrioti i Krujës dhe Erzeni i Shijakut bëjnë pjesë në grupin A së bashku me Besëlidhjen, Besën, Adën, Adriatikun, Mamurrasin, Ilirinë, Burrelin, Kamzën dhe Korabin.

Në grupin B (ose ndryshe grupi i jugut) bëjnë pjesë këto skuadra: Apolonia, Elbasani, Lushnja, Butrinti, Sopoti, Luftëtari,Dinamo, Shkumbini, Pogradeci dhe Gramshi.

Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Parë fillon më datë 12 shtator.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/