Federata Shqiptare e Futbollit ka fituar të drejtën për të organizuar fianlet e Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U17.

Një tjetër sukses historik për FSHF-në, që sjellë për herë të parë në Shqipëri finalet e një turneu madhor ndërkombëtar për moshat. 

Pas organizimit me sukses të finales së Conference League në maj të vitit 2022, UEFA ka vendosur t’i besojë FSHF-së dhe Shqipërisë mikpritjen e finaleve të “Euro 2025”.

FSHF ishte një nga federatat që kishte kandiduar për të pritur fazën finale të turneut, duke përgatitur një aplikim voluminoz që u përgatit nga administrata e FSHF-së dhe që më pas u paraqit në UEFA.

Në mbledhjen e zhvillua këtë të martë në Qipro, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka votuar pro kandidaturës shqiptare.

Investimet në infrastrukturë me stadiumet e reja, që plotësojnë kriteret e duhura për turne ndërkombëtarë, apo edhe eksperienca e pasur e administratës së FSHF-së në mikpritjen dhe organizimin e turneve ndërkombëtarë ka bindur sërish UEFA-n të sjellë në vendin tonë një ngjarje madhore.

Majin e vitit 2022, në Tiranë u organizua finalja e parë e Conference League, AS Roma – Feynoord, një ngjarje historike për Shqipërinë dhe futbollin shqiptar. 

Tani është momenti për një tjetër event të rëndësishëm, që do të sjellë Kombëtaret më të forta të Kontinentit për të luftuar për trofeun e Europianit.