Momente paniku në Suedi, ku një kamion ka hyrë mes turmës së njerëzve në Stokholm. Kamioni hyri në rrugën "Klarabergsgatan", e cila është një ndër më të frekuentuarat nga këmbësorët, ndërsa nga ngjarja njoftohet për 3 të vdekur dhe disa të plagosur.

Sipas dëshmitarëve janë dëgjuar edhe disa të shtëna me armë zjarri. Nuk dihet ende nëse bëhet fjalë për sulm terrorist.

Kamioni u përplas me një turmë njerëzish që kishin dalë jashtë një qendre tregtare në kryeqytetin suedez. Në pamjet e publikuara nga mediat e huaja shihen njerëz që vrapojnë të tmerruar si dhe disa të tjerë të shtrirë në rrugë. Gjithashtu në pamje shihen edhe shenjat e gomave të kamionit.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka evakuuar banorët. Ngjarja vjen disa ditë pasi një tjetër sulm i ngjashëm me makinë u krye në Londër. Khalid Masood 52 vjeç u fut me një makinë mes njerëzve duke vrarë 5 të pafajshëm, ndërsa plagosi mbi 50 të tjerë. Ai qëllua për vdekje nga policia dhe sulmi u konsiderua si vepër e terroristëve.