Pjesë e delegacionit edhe Adriatik Hoxha dhe trajneri Emir Kosturi. Hedhësi i gjyles shpreh bindjen se do të përmirësojë rekordin kombëtar

Është përcaktuar ekipi i plotë, që përfaqëson Shqipërinë në lojrat olimpike Londër 2012. Pas një dileme të shkaktuar artificialisht, është vendosur që pjesë e delegacionit sportiv shqiptar në këto lojra të jetë edhe atleti durrsak Adriatik Hoxha dhe trajneri i tij Emin Kosturi.  Përgatitjet kanë filluar me 6 korrik në Tiranë. Me 18 korrik olimpistët shqiptarë do të jenë në fshatin olimpik në Londër, ku është përcaktuar edhe akomodimi i tyre. Lojrat olimpike Londër 2012 fillojnë me 27 korrik, ku Romela Begaj do të mbajë flamurin kombëtar të Shqipërisë dhe përfundojnë me 12 gusht. Klubi shumësportesh Teuta përfaqësohet në evenimentin më të madh sportiv të botës siç janë lojrat olimpike, me kampionin dhe rekordmenin e gjyles Adriatik Hoxha. Ai do të shoqërohet edhe nga specialisti i njohur i atletikës Emin Kosturi. Para nisjes për në Londër i morëm një intervistë ekskluzive kampionit të hedhjes së gjyles Adriatik Hoxhës.

Shumë i emocionuar në këtë ceremoni të dorëzimit të flamurit kombëtar ekipit shqiptar që përfaqëson vendin tonë në lojrat olimpike Londër 2012?

Se kisha provuar ndonjëherë. Vërtet që janë emocione të fuqishme. Është përgjegjësi e madhe të përfaqësosh atdheun tënd, pikërisht këtë flamur që u dorëzua tani në duart tona.

Si shpjegohet ajo luhatje e pazakontë që u vë re në mitingun ndërkombëtar të Helsinkit?

Ndodhin edhe këto. Jo në gjendje të mirë. Sporti i ka të pranishme oshilacionet. Edhe nga gjendja shëndetësore nuk ndjehesha mirë. Sikur mu prenë krahët. 17 metra se kam hedhur në stërvitje dhe jo në një garë të rëndësishme si kjo. Megjithatë i kërkoj ndjesë fansave të mi dhe i them të vazhdojnë të kenë besim tek performancat e mia në vijimësi.

Është momenti që të nxisim anën tuaj psikologjike me këtë bashkëbisedim dhe na intereson të njihemi me synimet që keni në Londër 2012?

Të avancuara sigurisht. Kemi filluar përgatitjet në Tiranë me 6 korrik dhe do t’i vazhdojmë deri në datë 17. Është gjë e mirë që duke u ndodhur në fshatin olimpik që me 18 korrik, më jepet mundësia t’i nënshtrohem për disa ditë një testi kontrolli intensiv. Siç është bërë e ditur, gara ime do të jetë me 3 gusht në orën 10.00. Rekordi kombëtar është 18.18 m i arritur nga unë në kampionatin e fundit kombëtar. Jam i gatshëm ta përmirësoj këtë rezultat dhe në Londër të fiskoj shifra të reja rekord. Kjo vërtet do të jetë dhurata më e mirë që mund ti bëj shqiptarëve.

Natyrisht durrsakët kanë një arsye më shumë të jenë përqendruar tek gara e juaj, sepse të kanë djalin e tyre. Çfarë do tu thuash?

Të kenë besim tek unë se nuk do t’i zhgënjej. Po rikap gjendjen time më të mirë. Nuk është shaka të deklarohem, se në stërvitje sfera është hedhur përtej kufirit të 19 metrave. Garë është dhe nuk i dihet, por jam shumë optimist se do të kthehem në atdhe me rekord të ri kombëtar. Bashkëqytetarët e mi do ti ndjej që i kam pranë, që do të thotë një arsyje më shumë për rezultat të lartë.

Sipas informacionit që keni, me cilët rivalë konkuroni?

Nga më të fortët e botës. Në Londër do të jetë elita e shtytjes së gjyles. Emocionet janë nga më të fuqishmet. Kam 8 vite që e pres një rast të tillë dhe po punoj për të qenë prezent në një eveniment kështu. Do të përpiqem të mos zhgënjej asnjë, duke filluar nga familja ime, trajneri Kosturi, miqtë dhe shokët, por edhe durrsakët dhe klubin tim të shumësportëshit Teuta.

“Dyrrah” ju uron suksese Adriatik dhe presim të realizojmë intervistën e rekordit të ri kombëtar kur të kthehemi në Durrës…

Shumë faleminderit. Sigurisht që kështu do të ndodhë!


 

Londër 2012

Përbërja e delegacionit shqiptar

Me normë olimpike                   Data dhe ora e konkurimit

 

Romela Begaj          peshëngritje              30 korrik, ora 15.30

Daniel  Godelli        peshëngritje              31 korrik, ora 19.00

Briken  Calja           peshëngritje              31 korrik, ora 19.00

Hysen  Pulaku         peshëngritje              01 gusht, ora  19.00

Majlinda  Kelmendi   xhudo                     29 korrik, ora 09.30

Klodiana  Shala       atletikë                      06 gusht, ora  19.20

                               Me ftesë

Noel Borshi          not                            29 korrik, ora 11.00

Sidni   Hoxha       not                            02 gusht,  ora 11.00

Adriatik Hoxha    atletikë                     03 gusht,  ora  10.00

Arben Kuçana     qitje                          28 korrik, ora  12.00

 

Përgjegjës i delegacionit është Viron Bezhani.


Dekorime në prag të lojrave olimpike

Presidenti i Republikës Bamir Topi, për ndihmesë të çmuar në zhvillimin cilësor të sporteve në Shqipëri, dekoroi disa emra të shquar.

Titulli Nderi i Kombit: Gjergj Ruli, ish atlet, tani me detyrën e presidentit të FSHA-së

Nikolin Dionisi, ish atlet, tani me detyrën sekretar i FSHA-së

 

Titulli Mjeshtër i Madh

Viron              Bezhani ish mundës

Lutfi               Guri, ish atlet

Klodeta          Gjini, ish atlete

Hamdi            Uka, ish mundës