Shkodranët nuk e kanë “përtypur” mirë humbjen me Teutën në shtëpi, e diçka të tillë e shprehu edhe trajneri Cungu në intervistën e dhënë pas ndeshjes. Ai paralajmëroi një analizë të ekipit ku do të kërkoheshin shkaqet e asaj paraqitjeje, dhe kjo pritej të ndodhte sot, por trajneri Cungu ka vendosur që të thërrase ekipin në mbledhje ditën e diel.

Tekniku shkodran ka kërkuar nga klubi gjoba për lojtarët, të cilët nuk dinë të japin një shpjegim për paraqitjen e tyre, ndërkohë që klubi mbështet kërkesën e trajnerin i cili shpreson që gjobat të kenë efekt tek ekipi.

“Nuk mund ta kalonim aq lehtë humbjen me Teutën ndaj edhe kemi zhvillua një analizë. Asnjë prej lojtarëve nuk di të japë një shpjegim për atë paraqitje. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi, si personalisht, por edhe si ekip, ndaj kam propozuar në klub që të aplikohen gjoba për të gjithë. Kuptohet që Cicmim do të jetë ai që do të gjobitet më së shumti për atë karton të kuq. Siç kërkojnë korrektësi për pagat e shpërblimet, ashtu duhet edhe të gjobiten për mosimpenjim dhe për paraqitje të papranueshme në fushë. Shpresoj që kjo gjobë të japë efektin e duhur”, është shprehur Cungu në një deklaratë që zyra e shtypit e ka shpërndarë për mediat.

Tashmë kuqeblutë do të duhet të përgatiten për një tjetër ndeshje të vështirë, këtë herë ndaj Partizanit në kryeqytet, ku do të kenë edhe tri mungesa për shkak kartonësh, pikërisht Cicmil që u ndëshkua me karton të kuq me Teutën, si dhe dyshja Krymi-Bardulla që kanë plotësuar kartonin e tretë të verdhë.