Ky është rrëfimi i trishtë i mamasë së 31 vjeçares italiane Tiziana Cantone, e cila u varros sot në vendlindjen e saj, pasi vari veten për shkak të asaj që mediat italiane e cilësuan “tragjedia e turpit”.
E ëma e vajzës së re, Maria Teresa Giglio, e drejton gishtin drejt të fejuarit të vajzës, i cili sipas saj e detyronte të xhironte video hot me partner të tjerë e më pas këto video përfunduan online duke i dhënë një goditje të fortë Tiziana-s.
Sipas së ëmës, Tiziana nuk ishte e fortë psikologjikisht, pasi nuk kishte arritur të pranonte braktisjen nga i ati. Ajo për disa vite ishte dhënë pas alkoolit, por ishte kuruar ndaj kësaj varësie.
I fejuari dhe keqtrajtimet prej tij e bënë që t’i rikthehej atij vesi.
Tiziana Cantone u kthye në objektin e një talljeje publike në rrjetet sociale, pasi i dashuri vendosi të shpërndante videon e tyre të seksit.
Për muaj të tërë, videoja bëri xhiron e internetit dhe emri Tiziana Cantone u kthye në sinonimin e ‘vajzës së keqe’, ajo që përgojohet nga burrat që duan ta kenë.
Nën trysninë e fortë të paragjykimeve dhe nën peshën e proceseve gjyqësore për denimin e fajtorëve që përhapën videon, vajza e re nuk arriti ta përballonte më situatën.
Kishte provuar edhe dy herë të tjera vetëvrasjen, por pa sukses. Këtë herë arriti ta realizonte qëllimin e saj duke u vetëvarur me një shall në bodrumin e shtëpisë së saj, ku u gjet nga familjarët disa ditë më vonë.
Tani me po të njëjtën shpejtësi, interneti po shpërndan lajmin e “tragjedisë nga turpi” dhe në foto duket një vajzë “e re dhe e bukur” ose thjesht, një vajzë që nuk është më.





