Aksioni i IKMT-së u përqendrua sot në bregdetin e Hamallajt, ku u shembën 8 lokale dhe restorante të ndërtuara përgjatë vijës bregdetare.

Të lajmëruar me shkresë zyrtare vetëm 2 ditë më parë (12 janar) pronarët e këtyre bizneseve kishin nisur që në mëngjes çmontimin e tyre.

Për Eqerem Vishën ky ishte investimi i një jete, sepse punonin familjarisht në këtë biznes, ku është investuar rreth 50 milionë lekë.

“Një katastrofë që shteti e bën me popullin e vet” e cilësoi ai aksionin e IKMT-së, sepse tani nuk është i sigurt sesi do ta sigurojë jetesën, megjithëse i paguante taksat rregullisht.

Të dorëzuar para vendimit të IKMT, të tjerë pronarë jashtë kamerës kërkonin lënien e një afati më të gjatë kohe për të bërë të mundur çmontimin e plotë dhe largimin e të gjitha materialeve.

Ndërkohë, burime zyrtare konfirmuan për “DurrësLajm” se të gjitha lokalet që do të shemben gjatë aksionit të sotëm nuk janë të pajisur me leje.

Në aksionin që vijoi i qetë dhe pa reagime nga pronarët e lokaleve ishin të pranishëm inspektorë të IMT Durrës, si dhe efektivë të shumtë të Policisë Bashkiake dhe të Shtetit.

M.B.