Kemi ditë që diskutojmë dhe flasim për Ditën e Durrsakëve. Më vjen ndër mend fjalimi i famshëm i Martin Luther King, ku përballë mijëra e mijëra njerëzve i doli nga zemra kjo shprehje, për të hyrë në historinë e manualeve botërore e për të mos u harruar kurrë. Duke marrë të njëjtin perifrazim dhe duke e hedhur këtu në Forumin tonë po shpreh një ndjenjë dhe mbi të gjitha një dëshirë. Fjala e Kingut i ishte drejtuar të persekutuarve, këtu nuk ka të tillë, sepse nuk ka askënd të nëpërkëmbur, apo të harruar. Por persekutimi ynë është shpirtëror, i atyre që lanë shtëpitë, zemrat dhe ikën larg. Sfidoj këdo që do të donte të linte shtëpinë e tij dhe të ikte ngado. Ne jemi të persekutuar, sepse për një jetë më të mirë dhe më të bukur lamë vatrat tona dhe e kthyem persekutimin ekonomik në mall. Nga ky mall buron dëshira jonë për t’u rikthyer për një Ditë të madhe të bashkuar, ne durrsakët që ikëm për ditë më të mira. Kjo është ëndrra ime! Nëse e kam gabim më thoni të mos ëndërroj.
Dua të shikoj në Durrës përsëri ata me të cilët u rritëm dhe jetuam kaq vite bashkë, tashmë sërish së bashku në një Ditë të madhe. E kam një ëndërr që shpresoj se do të behet realitet shumë shpejt: “Ditën e Durrsakëve”. Kemi kaq kohë që po punojmë për këtë Ditë dhe falenderoj të gjithë Bordin e Forumit, të cilët janë angazhuar në këtë drejtim. Falenderoj të gjithë artistët, intelektualët dhe emigrantët që e përkrahën që në fillim. Falenderoj analistin Artan Hoxha për ndihmën e dhënë në këtë drejtim. Siç e dini kemi paraqitur në Bashki një projekt, i cili ka gjetur mbështetje dhe Bashkia na ka vënë në dispozicion të gjitha ambjentet me kosto 0. Por që të vemë përpara projektin që është i Durrësit e theksoj, i Durrësit, duhen edhe disa mjete financiare, që duhej të kalonin nëpërmjet Këshillit Kulturor që për fat të keq nuk është mbledhur dhe po na vonon në këtë drejtim. Ju bëjmë thirrje forcave poltike në Durrës dhe pjesëtarëve të Këshillit Bashkiak, të mos e vonojnë projektin, sepse kjo është dëshira e qindra e mijëra njerëzve që dëshirojnë të kenë një Ditë Durrsake dhe se përtej bindjeve politike jemi të gjithë durrsakë.
Ne nuk kemi kërkuar lekë nga askush, sepse kjo është vullnetare, por konform ligjit kërkojmë një shumë modeste për të mbuluar shpenzimet e aktivitetit. Kërkoj ndihmën tuaj për sensibilizimin e opinionit. Është shumë vonë, për të vazhduar të jetë vonë. Duhet të reagojnë menjëherë për vlerësimin e projektit. Bashkia na ka dhënë mbështetje maksimale, por fondet për këtë punë i ka Këshilli Kulturor. Le të trokasim në ndërgjegjen e atyre që janë zgjedhur nga qytetarët durrsakë dhe përfaqësojnë qytetin. Personalisht mua kur isha në Durrës në takimet që pata me ta, më premtuan se do të na përkrahin në iniciativën tonë. Ja ku erdhi dita, le ta mbajnë fjalën. Përgjegjësia morale le t’u mbesë atyre që kanë në dorë marrëdhëniet me publikun, sepse këto të ardhura burojnë nga taksat që qytetarët durrsakë paguajnë. Duhet vetëm të lëvizë makina burokratike.
Morena Çyrbja:Përshëndetje zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër durrsakë. Në këtë Forum shikoj shumë durrsakë që fataliteti Histori i ka bërë që me dhimbje dhe mall të jenë larg Durrësit, por me dëshirën e madhe për t’u kthyer një ditë. Si pjesë e Forumit kam kënaqësi të shpreh disa rreshta, të cilat dalin nga thellësia e shpirtit të çdo durrsaku. 11 GUSHTI, “Dita e Durrsakëve”, ky eveniment i parë dhe unikal në llojin e tij mendoj se na bashkon të gjithë ne, njerëzit e vullnetit të mirë të qytetit tonë dhe miqtë tanë, rreth vlerave tona të përbashkëta, solidaritetit dhe ndihmës mes mirëkuptimit dhe respektimit ndërmjet njerëzve, të qytetarëve të Durrësit. Ky koncert, që ka si synim të na mbledhë së bashku me miqtë tanë durrsakë kudo ndodhen, është dëshmi e ruajtjes së traditave, që dikur e kanë bërë qytetin tonë madhështor. Ne mund të bëjmë gjëra të vogla me shumë dashuri.” “Dita e Durrsakëve” le të na shërbejë për një mundësi më shumë. Të dëshmojmë se Ne Qytetarët Durrsakë, mundemi të ndihmojmë njëri-tjetrin duke ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.
Hektor Torihek: Është absurde të mos lejosh të zhvillohet një ditë kulturore për qytetin nga vetë qytetarët e tij, sidomos në një qytet që fle. Kështu si po veprojnë, janë duke shtypur inisiativën vullnetare që deri dje mungonte. Më thoni çfarë fondi do të japë Bashkia që e vonon kaq shumë, a thua se janë duke organizuar nga një manifestim çdo javë. Na u tha syri për pak gjallëri. Tani që kuptova që e kanë në dorë forcat politike i preva shpresat. Hajdeni ta bëjmë vullnetarisht 100% dhe jo disa me lekë disa pa, se do të kesh shumë pakënaqësi kur të ballafaqohesh, ta siguroj këtë. Është Dita e DURRSAKËVE. Thonë se Këshilli Kulturor nuk ka fonde. Po më parë kur kishin, ku i çuan? Jemi qyteti i dytë në Shqipëri, nuk kemi një kinema, shfaqjet teatrore vijnë shumë rrallë dhe jemi të detyruar të ikim në Tiranë për t’i parë. Jemi qytet turistik dhe qyteti duhet të jetë i ndezur, por as këtë nuk e bëjnë. Duam të organizojmë një event vetë, me forcat dhe vullnetin tonë, meqë ju nuk jeni të zotë të na mblidhni dhe këtë gjë ju nuk na e lejoni me gënjeshtrat tuaja aktuale "nuk ka fonde", më falni por kur i kishit çfarë bëtë me to. ASGJË. Turppp!
Mimoza Saliaj: Përderisa në të gjitha takimet, çdo gjë është bërë konform ligjit, ata na kanë përkrahur dhe na kanë premtuar, se kuptoj pse po e vonojnë mbledhjen e Këshillit Kulturor për lëvrimin e fondeve për eventin tonë. S’ka mbetur dhe shumë kohë. Bordi dhe anëtarët e forumit kanë bërë një punë gjigande në këtë drejtim. Kanë lënë punët e tyre dhe janë angazhuar jo vetëm shpirtërisht, por edhe financiarisht. Kam besim që gjërat do të shkojnë mirë. Akoma shpresoj se Këshilli Kulturor do mblidhet. Nëse ato nuk e mbajnë fjalën do mblidhemi të gjithë sëbashku në lokalet buzë detit dhe të çmallemi ashtu siç dimë vetë.
Kujtim Fusha: Ne nuk i kemi humbur shpresat dhe besimin Moza, pasi kjo gjë që duam të bëjmë ne është dhe dita e tyre, sepse dhe ata vetë janë durrsakë, pavarësisht pozicionit në të cilin ndodhen, ne gëzojmë gjithë respektin për ta, pasi nuk na ka munguar kurrë përkrahja morale e tyre në nismën që kemi ndërmarrë, sa fisnike aq dhe të bukur. Kjo ditë është dita e të gjithë durrsakëve dhe të gjithë duhet të mendojnë pozitivisht në dhënien e kontributit të tyre, duke menduar se po kontribuojnë për qytetin e tyre.
Eny Biduli: Është një event unik në llojin e tij. Një inisiativë e veçantë, e lindur në mes të këtij Forumi, e dëshiruar nga shumë dhe e mirëpritur nga të gjithë durrsakët jashtë dhe brenda Durrësit. Në këtë event, në këtë Ditë, bashkohen shpresat, malli dhe dashuria për qytetin tonë, por mbi të gjitha dhe rigjetja midis miqve të vjetër, të njohurve dhe shokëve, miqve të rinj. Të gjithë së bashku me Artistët tanë, të cilët na nderojnë kudo nëpër botë. Shumë kohë kemi që po punojmë dhe kemi vënë të gjitha energjitë, miqtë dhe mundësitë tona për të realizuar këtë ditë. Nuk do të tërhiqemi edhe pse kur situata bëhet e rëndë, jo të gjithë e përballojnë. Por jam e bindur që durrsakë si ju që e dëshironi dhe e përkrahni ka shumë. Shpresa vdes e fundit.
Indrit Hamiti: Po lexoja komentet dhe desha të saktësoj disa gjëra për të mos patur keqkuptime. Këshilli i Kulturës është një organ konsultativ, i cili zgjidhet nga Këshilli Bashkiak dhe funksion pranë administratës së Bashkisë. Ai ka rreth një muaj që funksionon. Mbledhjen e parë e ka bërë para një jave dhe ishte mbledhje me karakter informativ për gamën e projekteve që kanë aplikuar për të marrë fonde dhe për mënyrën dhe proçedurat e funsionimit të tij. Të drejtën për ta thirrur Këshillin e Kulturës në mbledhje e ka drejtori i Kulturës në Bashki përsa kohë nuk ka një kalendar mbledhjesh të aprovuar, pra nuk ka lidhje mbledhja me vullnetin e forcave politike. Ajo që di me siguri është se qoftë nga e djathta qoftë nga e majta janë dhënë garanci për ta financuar iniciativën e forumit. Për vlerën se sa e qysh, vendoset në këshill duke pasur parasysh që ka shumë projekte që janë aplikuar dhe fondi për kulturën është rreth 15 milion lekë të reja gjithsej për gjithë vitin. Gjithsesi ideja është pjekur dhe aplikuar para një muaji kështu që duhen gjetur modalitetet teknike që mos të dështohet.
Indrit Nina: Falenderoj z.Indrit Hamitin, që ka qenë prezent dhe që e ka ndjekur me vëmendje Forumin dhe kuptuar shumë mirë filozofinë dhe vlerat për të cilat u krijua dhe funksionon Forumi. Mbi të gjiitha na ka takuar disa herë personalisht me Bordin në Durrës dhe është angazhuar në këtë drejtim. Ajo që dua të theksoj është që ne nuk i dimë modalitetet si funksionon veprimtaria e pushtetit lokal dhe e thënë nga një njeri që është në krye të Këshillit Bashkiak të Durrësit është mëse normal të kuptohet. Por ajo që dua të shtoj është se në takimet që kisha me të gjithë drejtuesit e forcave politike në Durrës gjeta një konsensus të madh në drejtim të aktivitetit si nga ana e kryetarit të PD-së dhe deputetit Igli Cara, por dhe nga Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako. Prandaj ju bëjmë edhe një herë thirrje dhe apel që Këshilli Kulturor në drejtimin e Zotit Adrian Gurra, të mblidhet sa më shpejt që dhe ne të kemi një emërues të përbashkët në zhvillimin e aktivitetit. Të gjithë bashkë për Durrësin, për të patur një festë të përvitshme!
Aida Tari: Shumica nga ne që jetojmë në Itali e dimë shumë mirë, që festa vere të tilla siç po përpiqet të organizohet në Durrës, këtu organizohen çdo vit. Do të ishte shumë e bukur që një gjë e tillë të bëhej traditë edhe për durrsakët.
Vadik Çollaku: Ne kemi jetuar në këtë qytet, kemi gëzuar, kemi ndërtuar dhe në fund të fundit kemi kontribuar për njëzet e ca vjet demokraci për këtë Durrës. Ky është një eveniment i ndërmarrë me nismën e emigrantëve durrsakë dhe atyre nuk i takon një vend aty, por i gjithë paneli. Ne që jetojmë këtu në Durrës, jemi krenarë të shohim se sa dashuri dhe përkushtim i është kushtuar kësaj dite, duke treguar dhe një herë qytetari. Kam vënë re, se më shumë se 80% e Forumit janë të moshës 27-40 vjeç. Duhet sensibilizim për aktivitetin, duke bëre më aktivë dhe grup moshat paraardhëse dhe pasardhëse të brezit tonë. Duhet bërë më shumë për brezin e ri të rritur në emigrim, që të kuptojnë se nga vijnë, kush janë dhe të ndjehen mirë me të qenurit durrsakë. Jo të gjithë jetojnë në qytete të evropës me një histori më të pasur dhe më të vjetër se ajo e Durrësit. Shumë prej tyre jetojnë në province, që dhe emrin ia kanë vënë pas Luftës së Dytë Botërore.
Anila Liti Mejdani: Ju jeni duke u lodhur shumë për një qëllim shumë të bukur, por mos harroni që ne nuk mund t’a kuptojmë realitetin shqiptar. Për mendimin tim, organizoni o shokë një “beach party” të japim secili shumën që na takon, të takohemi e të kënaqemi dhe mos ia kemi borxh asnjeriu këtë festë.
Gentiana Mborja Shtraza: Për mendimin tim edhe pse me probleme të shumta, por me një zemër kaq të madhe si kjo që kanë këto djem e vajza, të cilët kanë muaj që punojnë duke ndenjur me netë e netë pa gjumë nga sikleti dhe hallet se si do dalë kjo punë dhe me mbështetjen tonë që s'duhet të mungojë për asnjë çast e them me bindje të plotë se do të arrijmë t’ia dalim për të realizuar një gjë shumë të bukur.
Syrja Kurti: Të nderuar miq! Këtu një mbrëmje para dy vjetësh u takuan dy burra, njëri doktor dhe tjetri piktor dhe vendosën të ndryshojnë kushtetutën dhe brenda natës e ndryshuan, sikur të ishte një letër bakalli dhe jo ligji themeltar i shtetit. Shpresoj që njerëzit kompetentë t’i thërrasin mendjes për të mirën e qytetit tonë dhe aktiviteti të bëhet.
Vasil Llapa: Po ata të mbyturit në punë për qëllimet e tyre i marrin letrat dhe i qarkullojnë dorë më dorë dhe për gjysmë ore përmbyset çdo ligj. Veç rasteve të tjera shikoni si ata shkelin çdo ligj urban duke shkatërruar Durrësin. Ndërsa për të realizuar një veprimtari del përpara një mur i betonizuar ligjesh. I thoni se do ta shtyni aktivitetin, të shohim a do t’ua japin fondin, apo do nxjerin një barrjerë tjetër të bunkerizuar për t’a ripenguar aktivitetin. Një variant tjetër është t’i thoni nëse e sigurojnë fondin pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Do huazohemi nga firma private i thoni, vetëm duam garanci se do të na kthehen paratë. A do të jenë dakort me këtë?