Publicisti Veton Surroi është shprehur i befasuar mbi vendimin e Këshillit të Qarkut të Kukësit për t‘i hequr titullin qytetar nderi.
Në një intervistë për Abc news, Surroi e ka cilësuar të çuditshëm vendimin ndërsa tha se i ngjasonte gjykimeve politike gjatë kohës së komunizmit.
Vendimi, që erdhi si rrjedhoje e qëndrimeve te fundit të Surroit për veprimtarinë e UÇK-së, zgjati në fakt vetëm disa minuta, pasi kryebashkiaku Gjici u tërhoq më vonë duke kërkuar falje publike.
“Nuk e di, por ideja që një këshill bashkiak merret me historinë, besoj se nuk e ndihmon historinë dhe as këshillin bashkiak”, tha ndër të tjera Surroi.
Intervista e plotë:
Zoti Surroi përshëndetje! Jeni njohur me vendimin e këshillit të qarkut të Kukësit në lidhje me heqjen e titullit?
Jam njohur edhe me atë edhe me pezullimin.
Si e morët vesh?
Më informuam miqtë që e kishin lexuar në portale dhe miqtë e mi në Kukës.
Si u ndjeve, cila ishte ndjesia e parë, çfarë mendove?
I befasuar. Pastaj desha të shoh se për cfarë bëhej fjalë dhe dëgjova një pjesë të debatit që ishte zhvilluar në këshillin bashkiak dhe më la një shije të keqe të një gjykimi politik. U mor një vendim i çuditshëm që i ngjasonte gjykimeve politike gjatë kohës së komunizmit se një bashkie në kohën e demokracisë.
Mendoni se e kanë keqinterpretuar deklaratën tuaj me rolin që ka pasur UÇK në luftën për të çliruar Kosovën?
Çka kam deklaruar unë janë publike, nuk ka nevojë për veprime hetimore, janë të shkruara, ka mbi 20 vite, kur kam shkruar unë për UÇK, disa prej tyre nuk e kanë ditur çfarë është UÇK. Një këshill bashkiak që merret, nuk besoj se kanë kualifikim të mjaftueshëm për të bërë vlerësime historike dhe nuk besoj se është puna e tyre, e tejkalon pak edhe kontekstin edhe kohën.
A jeni interesuar përse u mor ky vendim tani?
Nuk e di. Këshilli Bashkiak që më nderoi, falënderoj qytetarët e Kukësit, ky këshill dhe kryetar flasin më shumë për nderin e tyre me këto veprime. Nuk mund të hyj në pse-të e tyre.
Ju i njihni personalisht, ndonjë nga anëtarët apo kryetarin bashkiak aktual?
Jo, përherë të parë kam marrë vesh për mbiemrin e zotit Gjici. Nuk kam ditur për këtë person.
Ju ka kontaktuar më pas dikush nga bashkia apo Gjici?
Jo, nuk ka pasur dhe nuk ka nevojë të kontaktojë.
Me kryeministrin Rama keni shkëmbyer komunikim pas kësaj furtune në gotë?
Jo, kam parë reagimin e kryeministrit dhe i falenderum publikisht.
Ju e quani cështje të mbyllur?
Para 60 vitesh Çërçill, thoshte se Ballkani konsumon më shumë histori sesa mund të konsumojë. Sot trevat shqiptare prodhojnë më shumë skandale sesa mund të konsumojnë brenda një dite.
Kjo është në vazhdën e këtij perifrazimi?
Si duket po.
Mendoni se në këtë situatë të tensionuar të Kosovës dhe si po qaset Shqipëria pas thirrjes në Hagë të liderëve të UÇK-së, do të fillojë dhe do të kemi shumë keqkuptime të kësaj natyre apo luftëra të tilla të vogla personale me individë konkretë në të ardhmen?
Nuk e di, por ideja që një këshill bashkiak merret me historinë, besoj se nuk e ndihmon historinë dhe as këshillin bashkiak. Mendoj se është me rëndësi me qenë se do të kemi një periudhë të ballafaqimit me të kaluarën të mos shfrytëzohet për qëllime dhe hesape politike. Në Shqipëri është nxitur një atmosferë që do të identifikojë gjoja shkaktarët e gjykimit dhe gjykatës speciale, mendoj se nuk i bën nder as forcave politike në Shqipëri, as mbarëvajtjes, as idesë së ballafaqimit me të kaluarën me të cilën do të afrohemi dhe jo do të largohemi. Do të bashkëdyzojmë mendimin dhe të krijojmë një histori transformative të vetën dhe jo një histori konfrontimi të vazhdueshme.
Më jep një opinion, cfarë pritet që të ndodhë në Kosovë dhe si e gjykoni atë që po ndodh me luftën e UÇK-së , por edhe liderët që ndodhen në Hagë, ka pasur nga ata faktorë që e kanë vendosur gishtin si liderët e Kosovës e kanë trajtuar njëri tjetrin, pak mbështetje dhe shumë përçarje?
Cfarë do të ndodhë në Kosovë nuk mund të them, por mund të them se është koha kur partitë, duhet të krijohet një legjitimitet i ri politik për t’u ballafaquar me të gjitha problemet, pandeminë, efektet ekonomike, krizën politikë të shkaktuar nga gjykata Speciale, efektet politike që do të kenë negociatat me Serbinë dhe në këtë proces të ballafaqimit me të kaluarën, nuk mund të kemi kryetar bashkishë që e shndërrojnë veten edhe në akademikë, prokurorë, gjykatës, historinë dhe cdo gjë tjetër. Duhet pak më shumë maturi në Kosovë, në Shqipëri duhet më shumë angazhim për bashkim mendimesh dhe jo për konfrontim.