Vrasja e 35-vjeçares Klodiana Vefa, një natë më parë në Itali, nga bashkëshorti i saj 45-vjeçari Alfred Vefa, tronditi rëndë opinionin publik shqiptar dhe atë italian.

35-vjeçarja u vra me 3 plumba nga bashkëshorti i saj, me të cilin kishte dy fëmijë të moshës 17 dhe 14 vjeç.

Edhe pse Klodiana i kishte shkëputur marrdhëniet prej 6 vitesh me Alfredin, ky i fundit ka vijuar sërish që të ushtrojë presion, madje hera herës duke bërë dhe skena të dukshme xhelozie.

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, ishte pikërisht lidhja e Klodianës e një tjetër burrë që solli dhe fundin e saj tragjik.

Partneri i ri i Klodianës pak kohë më parë i kishte kërkuar Alfredit që të divorcohëj ligjërisht, në mënyrë që dy të dashuruarit të vijonin jetën e tyre normale.

Por pas këtij propozimi kanë nisur dhe kërcënimet e Alfredit në drejtim të Klodianës.

Sipas informacioneve të fundit, ai e kishte kërcënuar disa herë Klodianën, duke i thënë “po të numërohen ditët” dhe “do të jesh e imja ose e askujt”.

Hetuesit italianë që kanë mbledhur prova dhe kanë marrë dëshmi të tjera, kanë mundur të mësojnë se Klodiana Vefa ishte në dijeni që Alfredi mbante një armë pa leje, por nuk kishte frikë.

Nga ana tjetër, mikeshat e Klodiana Vefës e kanë përshkruar bashkëshortin e saj si një njeri të dhunshëm.

“Para disa vitesh më në fund arriti që të ndahej nga bashkëshorti, ishte një burrë jo i mirë. Ishte njeri i dhunshëm, e dinim të gjithë. Ai i ushtronte dhunë psikologjike. Ajo ishte gjithmonë e qeshur dhe e gëzuar, ndryshoi krejtësisht kur ishte me të. Ai ishte njeri i frikshëm, por ajo nuk e denoncoi kurrë atë”.

Trupi i pajetë i Klodiana Vefës u gjet nga fëmijët e saj. Ndërsa autori, Alfred Vefa u arratis pas krimit.

Ai vijon të jetë në kërkim nga policia italiane.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së enjtes në qytetin Castelfiorentino.