Vala e të nxehtit, me temperatura të paregjistruara më parë për muajin qershor, vijon të godasë gjithë Evropën. Autoritetet në Itali ngritën alarmin për thatësira, pasi lumi më i gjatë i vendit ka filluar të thahet, duke goditur rëndë bujqësinë.

Sipas autoriteteve italiane, lumi “Po” nuk ka rënë kurrë në nivele kaq të ulëta, duke shtuar frikën për një thatësirë shkatërruese gjatë muajit korrik. Brenda pak ditësh, lumi ka rënë nën 300 metra kub në sekondë, sipas agjencisë ndër-rajonale të lumenjve.

Situata paraqitet alarmante edhe në Gjermani, ku është regjistruar një rekord i ri temperaturash sot, vetëm një ditë pasi regjistroi ditën e saj më të nxehtë ndonjëherë. Shërbimi Meteorologjik Gjerman regjistroi 41.5 gradë Celsius në Dreëitz, në shtetin Saksoni-Anhalt, këtë pasdite, sipas AFP.

Kjo thyen rekordin prej 41.3 gradë Celsius që u vendos vetëm një ditë më parë në Saarbrücken. Mbi 700 fluturime u vonuan dhe dhjetëra të tjera u anuluan në aeroportet e Londrës, për shkak të të nxehtit ekstrem. Autoritetet njoftuan se “për shkak të valës së të nxehtit u vendosën kufizime të përkohshme të trafikut ajror”.

Për herë të parë, edhe Sllovakia theu rekordin e temperaturave ekstreme, që nuk ranë nën 26.3 gradë Celsius as gjatë natës. Ndërkohë, Rumania është vendi i fundit në kontinent që lëshoi alarmin e kuq, duke paralajmëruar se i gjithë vendi do të përballet me nxehtësi ekstreme nga e hëna në të mërkurë.

Më herët, shumë vende të tjera të Evropës lëshuan alarmin e kuq, për shkak të temperaturave ekstreme. Në Spanjë u regjistruan qindra viktima, Franca po ashtu po përballet me temperatura mbi 40 gradë celsius. Republika Çeke, Hungaria, Moldavia ishin po ashtu në alarmin e kuq, me vendet e Ballkanit, ku bën pjesë edhe Shqipëria, që po përgatiten gjithashtu për ditë të vështira.

Instituti Meteorologjik Danez ka raportuar një temperaturë prej 37 gradësh në veri të qytetit të Aarhusit të shtunën, më e larta e regjistruar që nga fillimi i matjeve në vitin 1874.