Gjykata e Posaçme i ka konfirmuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” biznesmenit Sokol Kryeziu i cili akuzohet si i përfshirë në dosjen e kryebashkiakut Veliaj. Sipas vendimit të Gjykatës Kryeziu do të paraqitet përpara oficerëve të policisë gjyqësore pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të premten e parë dhe të katërt të çdo muaji në orën 14.45.
Kryeziu u paraqit këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme për seancën e verifikimit të masës së sigurisë të caktuar ndaj tij, pasi ndodhej jashtë vendit në momentin që GJKKO firmosi masat e kërkuara nga SPAK.
Kryeziu dyshohet se ka kryer “korrupsion aktiv” në dosjen hetimore të SPAK për kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Në seancën e 12 shkurtit, GJKKO i la në fuqi masat e sigurisë “detyrim paraqitje” për biznesmenët Sokol Kryeziu, Gentian Sula, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Shkëlqim Fusha. Biznesmeni Elman Bule dhe kryebashkiaku Veliaj u lanë në burg. Ndërkohë për Ajola Xoxën, u ndryshua masa nga “arrest shtëpie” në detyrim paraqitje.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 26.02.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje të personit të arrestuar dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Sokol Kryeziu me vendimin Nr. 7, datë 09.02.2025 të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112 dhe 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 24, datë 28.02.2025, vendosi:
1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 të Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Sokol Kryeziu, me vendimin Nr.7, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaҫme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me këtë
ndryshim:
2. Urdhërohet personi nën hetim Sokol Kryeziu, që të paraqitet përpara oficerëve të policisë gjyqësore pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të premten e parë dhe të katërt të çdo muaji në orën 14.45
3. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.