Nuk janë të pakta rastet të dëgjojmë dikë që thotë “ja tregoj të gjitha ChatGPT dhe më jep ndihmën e nevojshme”.
Por kohët e fundit duket se inteligjenca artificiale nuk është vetë mjet që na tregon informacionet në mënyrë të përshpejtuar e në kohë rekord, apo na ndihmon në kreativitetin për krijimin e diçkaje, por është shndërruar dhe në një “psikolog online”, i cili të mbështet për nga ana emocionale.
Sipas një studimi, të publikuar në communication psychology, Modelet e Mëdha Gjuhësore (LLM) janë sisteme të inteligjencës artificiale të afta për të përpunuar, interpretuar dhe prodhuar gjuhën njerëzore. Kështu, këto modele mund t’u përgjigjen pyetjeve dhe të zgjidhin probleme komplekse. Por, a mund të sugjerojnë ato edhe sjellje emocionalisht inteligjente?
Nga studimi rezultoi se modelet e mëdha gjuhësore arritën 82% përgjigje të sakta krahasuar me 56% përgjigje të sakta nga njerëzit, në disa nga temat e punuara. Kjo sugjeron që këto sisteme jo vetëm që i kuptojnë emocionet, por edhe kuptojnë se çfarë do të thotë të sillesh me inteligjencë emocionale.
Studiuesit shprehen se LLM-të kanë kapacitetin e njohurive emocione, e mund të përgjigjen sipas situatave emocionale apo skenareve që njerëzit përballen në përditshmëri.
“Prandaj, modelet e mëdha gjuhësore jo vetëm që janë të afta të gjejnë përgjigjen më të mirë midis opsioneve të ndryshme të disponueshme, por edhe të gjenerojnë skenarë të rinj të përshtatur për një kontekst të dëshiruar. Kjo forcon hipotezën se këto modele posedojnë njohuri emocionale dhe mund të arsyetojnë rreth emocioneve njerëzore”, përfunduan studiuesit.