Policia ka identifikuar njërin nga autorët e grabitjes së karburantit që u shënua dje në Krujë dhe e kanë shpallur në kërkim.
Autori është shtetasi B.M. 28 vjeç, banues në fshatin Qerek Krujë.
“Shtetasi i mësipërm, më datë 16.09.2016, rreth orës 01:30, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në aksin rrugor Aeroporti i Rinasit-Ura e Gjoles, me skafandra dhe nën kërcënimin e armës, kanë grabitur një pikë shitje karburanti, në pronësi të shtetasit N.V. 51 vjeç, banues në Mallakastër”, bën me dije policia e Durrësit.
Sipas të dhënave të policisë, dy autorët kanë hyrë në kabinën e vendqëndrimit të rojeve dhe shitësve të karburantit, ku kanë thyer me armë zjarri automatik xhamin e derës dhe dritares së kësaj kabine, dhe nën kërcënimin e armës kanë detyruar punonjësit të hapin kasafortën e parave nga e cila kanë marrë rreth 300 000 lekë dhe janë larguar me mjetin e tyre motorçikletë e tipit “Lifan”.
Motorçikleta e llojit 50 CC u gjet e djegur rreth 300 m larg vendit të ngjarjes.
Nga kryerja e veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes dhe provat e mbledhura ka rezultuar si autor i dyshuar shtetasi B.M. dhe një shtetas tjetër.
Por efektivët e policisë zbuluan edhe diçka tjetër të kundërligjshme kur ushtruan kontroll në banesën e 28-vjeçarit. Në të u gjetën dhe u sekuestruan 4 kg kanabis sativa.
Policia vijon punën për kapjen e autorit të shpallur në kërkim, identifikimin e autorit tjetër si dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.





