Nga drita e projektorëve të superstadiumeve me ëndrrën për të triumfuar në Ligën e Kampioneve, te fushat me baltë të futbollit amator. Kjo është ajo që pret Mauro Ikardin dhe 5 futbollistë të tjerë që PSG ka nxjerrë zyrtarisht jashtë listës dje, duke u bërë të qartë se për ta nuk ka më vend në ekipin e parë.

Mediat franceze kanë raportuar se klubi ka bërë ndryshime nën drejtimin e Galtie dhe kjo përfshin edhe mospjesëmarrjen e lojtarëve të padëshiruar në stërvitjen e ekipit të parë. Kështu Ikardi, Herrera, Draksler, Kurzaua, Gueje dhe Kehrer janë lajmëruar se për ta nuk ka më vend ne ekipin e parë, se mund të vazhdojnë të stërviten në strukturat e klubit, por do ta bëjnë këtë në një orar tjetër dhe me një trajner tjetër. Me pak fjalë, zero kontakt me ekipin e parë derisa në klub ta mendojnë të arsyeshme ose do t’u nevojitet në rast emergjence, në pritje të fundit të kontratave të secilit.

Sa për të luajtur, e vetmja mundësi që u ka ofruar klubi, sipas “L’Equipe” është të jenë pjesë e skuadrës së shoqatës që ka krijuar PSG për futbollin amator. Një ekip që luan në kategorinë e pestë franceze, në skena në të cilat lojtarët e mësipërm as nuk kanë menduar ndonjëherë të luajnë në vitet e tyre si profesionistë.
Kështu, për të gjithë tashmë bëhet e domosdoshme lëvizja gjatë merkatos së verës, me kërkimin e klubeve të reja për të vazhduar karrierën, për të mos rrezikuar që të kthehen në anonime milionerë deri në mbyllje të kontratave të tyre.