Një varg i pazakontë turistësh zgjatej përmes rrugës nga Torra Veneciane deri në një nga harqet e murit rrethues të qytetit që të çon në amfiteatër. Një rresht i pazakontë, që i shoqëruar nga blicet e fotografëve dhe fokusi i kamerave shikonin me vëmendje dhe admirim objektet arkeologjike. Jo se nuk kisha parë grupe turistësh që vizitonin monumentetet arkeologjike dhe historike të Durrësit, pasi ato tashmë janë të shpeshta, por rreshti i njerëzve ishte aq i gjatë dhe numri aq i madh, sa s`kish si të mos më bënte përshtypje. Në fakt ishin 250 operatorët turistikë nga Polonia, që po vizitonin qytetin në kuadër të një axhende turistike. Në fakt u ndjeva mirë, pasi turistët janë si ato dallëndyshet që paralajmërojnë pranverën e zhvillimit të një vendi, stabilitetit apo dhe kurimit të një imazhi jo pak problematik dekadat e fundit.

Të dukej sikur ishe në Athinë, Romë, Aleksandri apo në çdo vend të njohur për vlerat turistike. Nga harku i murit rrethues, amfiteatri ju ofronte turistëve kureshtarë një befasi të çuditshme që vetëm një i huaj që nuk e ka shkelur këtë vend të largët mund ta kuptojë. Secili me një aparat fotografik në dorë fiksonte detaje nga ato që në i quajmë pasuri arkeologjike. Një pjesë e kësaj pasurie fiksohej në aparat, për të shtegtuar më pas në udhëtimin e tyre dhe për të përcjellë një imazh më të mirë, më të veçantë, më të bukur për qytetin tim. Me këtë përshtypje do të dëgjoja një ditë më pas, në takimin e operatorëve turistikë polakë, Ministrin e Turizmit z. Bumçi, i cili do ta shikonte Shqipërinë si destinacionin më të mirë turistik në fokusin e një agjensie prestigjoze si CNN.

Në fakt imazhi im me vargun e gjatë të turistëve dhe ai prezantim i shkëlqyer i resurseve turistike të Shqipërisë, më bëri të besoja se jo vetëm kemi në mënyrë të padiskuteshme resurse të jashtëzakonshme turistike, por edhe se shteti shqiptar në dy dekadat e fundit ka bërë shumë për turizmin. Në kulmin e kënaqësisë dhe euforisë time një “por” i vogël, shumë i vogël në krahasim me vargun e gjatë të fjalëve të Ministrit tim, më ngeli si një halë në fyt, sa për një çast kujtova se po më mbyste. Desha ta largoja nga gryka atë “por” me një gllënkë shampanjë nga gota e kristaltë në tavolinën e shtruar në mënyrën më të mirë të mundshme, por më kot. Ai “por” vazhdonte të qëndronte atje, sikur donte të më prishte atë imazh të shkëlqyer të prezantuar përmes CNN dhe të ilustruar në mënyrën më të shkëlqyer nga Ministri im i Turizmit. Ai “por” kërkonte të dilte jashtë dhe të shprehej, përndryshe do më mbyste. Nuk kisha luajtur mendsh që të mbytesha për një “por”, prandaj vendosa ta dëgjoja ndonëse do më prishte sado pak atë imazh të mrekullueshëm që më ishte fotografuar në tru mua dhe 250 operatorëve turistikë që po shijonin shampanjën e ftohtë në pushimin mes dy seancave.

“Dil”,- i thashë “por”-it të bezdisshëm, por që të mos shqetësoja operatorët turistikë polakë dola në verandë ku isha vetëm. Nga ai cast shpëtova pasi “por”-i nisi të dalë më shpejtësi, duke nxjerrë një varg të gjatë “por”-esh, që se di pse me dukej sikur kërkonin të rivalizonin atë varg të gjatë turistësh në rrugën antike të qytetit tim. Por, a e dinë turistët se Amfitetari i Durrësit akoma nuk është zbuluar plotësisht, a e dinë se çfarë masakre është bërë mbi arkeologjinë në këtë qytet, a e dinë se dikur nga qendra e qytetit të Durrësit shikoje detin dhe tashmë nuk e sheh, a e dinin se pranë plazhit të mrekullueshëm tashmë ka një qytet të ri ndërtimesh, a e dinin se në verë ujërat e zeza ndotin bregdetin, a e dinin se në jug të vendit përballë Ksamilit të mrekullueshëm kanë mbetur si fantazma ndërtesa të shkatërrura, a e dinin se tej pamjeve të CNN, kamerat e thjeshta të televizioneve  shqiptare kapin detaje të cilat e dëmtojnë turizmin? Nuk mund të duroja më, futa dorën në fyt dhe e nxora me forcë atë “por” të bezdishëm që sillte një realitet ndryshe për turizmin në vendin tij.

E nxora nga fyti dhe u ndjeva i lehtësuar. Shyqyr mendova, që ky “por” i bezdishëm në koktejin me operatorët turistikë nuk mbeti në grykën e ndonjë investitori të huaj. Nuk më mbeti gjë tjetër veçse të largohesha nga kokteji me shijen e mirë të imazhit të vargut të operatorëve turistikë, shampanjës dhe fjalëve të Ministrit tim të Turizmit nga njëra anë dhe atij por-i të bezdisshëm që për pak më mbyti.