Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka dalë sot në një konferencë për mediat, ku i është përgjigjur  kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj sa i takon çështjes së inceneratorëve dhe deklaratave të tij për News24.

Kryemadhi tha se Veliaj duhet të përgjigjej për firmën e tij në një koncesion për të cilin ishin paguar 128 milionë euro dhe ka dështuar.

Më tej kryetarja e LSI-së, shtoi se të gjitha paditë dhe faturat ishin në SPAK ku do të bëhej hetimi i pagesave “Offshore”.

“Në kuadrin e përdorimit të uzurpimit dhe mashtrimit në mënyrë sistematike nga sekti i rilindjes që ka kapur ekonominë shqiptare dhe jetën e qytetarëve jam e detyruar të sqaroj mjaftistin e fundit z. Veliaj meqenëse kishte problem shumë të madh çështjen e rindërtimit, çështjen e pastrimit të Tiranës, kishte çështjen e shkollave të Tiranës. Po i them të sqarojë firmën e tij këtu, me firmë dhe vulë në emër të këshillit bashkiak të Tiranës që ka marrë një angazhim 30-vjeçar. Ky orator i madh i cili me urdhër nga Holanda doli sot për të folur angazhimi 30-vjeçar i bashkisë së Tiranës. Të përgjigjet për firmën e tij që ka ndryshuar fatin e një koncesioni të paligjshëm dhe ka ngarkuar me një barrë 30-vjeçare jo vetëm qytetarët e Tiranës, por të gjithë Shqipërisë. Ku janë 128 mln euro të investimit të kompanive të inceneratorit të Tiranës, për të cilën dhe ata i kërkuan Erion Veliaj të dalë të shpjegojë. A janë këtu 128 mln euro investim. SPAK është në provë për të verifikuar a janë aty 128 mln euro investim të kompanisë of-shore në Holandë”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo theksoi se të gjitha akuzat dhe paditë janë në SPAK. “I them oratorit mjaftist, që të përgjigjet dhe t’i kthejë shtëpitë banorëve të kombinatit. Të gjitha akuzat dhe paditë e mia janë në SPAK. Me deklarata, me gara të vërtetat, me firmën e Veliajt në 27 mars të 2017-ës, me vulën e protokollit të bashkisë së Tiranës. Kaq për sot. Shihemi përsëri!”, tha kryetarja e LSI.