31 korrik 2015 – Me aventurën europiane praktikisht të përfunduar për këtë edicion, Kukësit i mbetet vetëm të shpresojë në një ndëshkim pa pasoja afatgjata nga organet disiplinore të UEFA-s. Sanksionet e organizimit europian janë të pashmangshme dhe ato mund të variojnë jo pak nga njëri-tjetri. Me ndeshjen e ndërprerë përballë Legias, fati i takimit në Tiranë tashmë duket i vulosur, fitore 3-0 në tavolinë në favor të polakëve pasi Kukësi si klub organizator mban përgjegjësi për gurin e hedhur, edhe pse ky ishte veprim individual i dikujt që vetëm tifoz i Kukësit nuk mund të jetë, e paevitueshme në këtë rast edhe një gjobë e majme financiare, por pasojat për Kukësin mund të jenë edhe më të rënda. Me ndeshjen e deklaruar të ndërprerë, Komisioni Disiplinor i UEFA-s mund të vendosë edhe përjashtimin e skuadrës nga Europa League për këtë sezon duke e mbyllur menjëherë rrugëtimin kontinental të Kukësit, pa u luajtur ndeshja e kthimit në Varshavë.

Skenari më i keq i mundshëm, edhe pse ka gjasa minimale për tu konkretizuar mund të jetë edhe një përjashtim i skuadrës nga 1 deri në 3 vjet nga Kompeticionet Europiane, sanksion ky që merret zakonisht kur një skuadër është recidive, pra përsëritëse në akte të tilla të huliganizmit të shfaqur nga tifozët e saj. Vlen të kujtohet se ashpërsia e ndëshkimeve do të varet edhe nga relacioni i përpiluar nga zyrtarët e Uefa-s në lidhje me ndeshjen, por e sigurt është se tashmë Kukësit nga shpresat e mëdha i mbetet vetëm të kufizojë sa më tepër dëmet nga ai gjest i turpshëm në Qemal Stafa.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/