4 maj 2015 – Në lidhje me incidentin elektoral që ndodhi në zonën e Shkozetit në Durrës, mes simpatizantëve demokratë e socialistë, vjen një reagim dhe nga ana e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Përmes një deklarate për mediat, ky komitet dënon ngjarjen në fjalë dhe u sugjeron subjekteve zgjedhorë, të marrin masat e duhura që militantët dhe aktivistët e tyre të manifestojnë sjellje korrekte dhe të garantojnë që kontributi i tyre në këtë proces zgjedhor, të jetë në përputhje me ligjin dhe me standardet e shoqërisë demokratike.
“Incidente të tilla duhet të shmangen me çdo kusht, me qëllim që gjatë fushatës zgjedhore, që ligjërisht duhet të fillojë 30 ditë para datës së zgjedhjeve (pas datës 20 maj), zgjedhësit të mund të ndjekin me vëmendje dhe në qetësi programet e subjekteve zgjedhore, debatet e kandidatëve të tyre, me qëllim që të mund të krijojnë bindje personale, e të pavarur, në lidhje me votën që do të ofrojnë”.
Gjithashtu, KSHH-ja u sugjeron organeve kompetente të drejtësisë të zhvillojnë hetime të shpejta dhe objektive, si për ngjarjen e Durrësit, ashtu dhe me çdo rast tjetër të ngjashëm.
Deklarata përmbyllet me një apel për të shmangur gjuhën e urrejtjes dhe provokimet ndërmjet kandidatëve dhe mbështetësve të tyre.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/