Nga Gladiola Busulla

DURRËS, 13 nëntor 2014– Profil qytetar:  Indrit Nina, lindur dhe rritur në Durrës, emigrant ndër vite së bashku me eksodin masiv të Marsit në 1991. Ka kryer studimet në “Fakultetin Ekonomik” në Tiranë, dega Administrim – Biznes dhe “Cecil College University of Salisbury Maryland” në “General Science” dhe “Politic Science”, në vitet 2010 – 2013 . Biznesmen në disa aktivitete në shtetin e Maryland-it, në hoteleri dhe restorante, pronar i dy kompanive  të regjistruara në shtetin e Maryland-it, në të njëjtën kohë.

Ish-emigrant në Francë dhe Itali, zotëron rrjedhshëm 6 gjuhë të huaja dhe ka punuar si General Manager për disa vite në kompani të njohura zinxhir, në shtetin e Delaware. Po ashtu, në Boca Raton Florida nga viti 2004 deri në 2008 ka pasur në pronësi, një restorant shumë të njohur në Downtown Boca.

Është angazhuar intensivisht, në aktivitete dhe lobime në Kongresin Amerikan e fushata elektorale në shtetin e Maryland-it, duke mbështetur kandidatin për President të County Comissioner, njëherazi dhe mik i besuar i tij.

Drejtues i Forumit të Durrsakëve nga viti 2011, ai ka publikuar disa shkrime në gazeta lokale e intervista në këtë aspekt; gjithashtu ka organizuar aktivitete kulturore e intelektuale në Durrës. Tashmë, Indrit Nina është një nënshtetas amerikan, por me kombësi shqiptare. 

Si lindi Forumi i Durrsakëve?

Forumi lindi si ide, rastësisht nga dëshira dhe malli që kishim për Durrësin duke krjiuar një grup në social Netëork Facebook me qëllim të afronim sa më shumë durrsakë të larguar ndër vite, me mall dhe pasion për qytetin e tyre. Nga këtu duke parë dhe zgjerimin që pati dhe si rrjedhojë, përkushtimin e shumë pjesëmarrësve për të kontribuar për qytetin e tyre, lindën idetë dhe sugjerimet në këtë drejtim. Na kanë pyetur shpesh se nga jemi dhe për çfarë jemi: përgjigja jonë ka qenë spontane dhe e sinqertë:  jemi durrsakë  dhe jemi këtu për Durrësin.

 Indrit, sa e ka përmbushur realisht Forumi, misionin e tij deri në këtë moment?

Duke i atribuar Forumit një program të bazuar në një mentalitet të pavarur dhe perëndimor, ftuam dhe ofruam alternativa e kërkuam të kontriubojmë në panoramën kulturore dhe intelektuale të Durrësit, me sukses duke pasur si buxhet primar, zemrat e shumë durrsakëve. Qëllimi ka qenë krijimi i një marrëdhënie të ndërsjelltë, midis atyre që ikën të përmalluar dhe atyre që jetojnë akoma në Durrës duke kthyer një faqe virtuale, në një realitet që ka në simbiozë Durrësin dhe vetëm Durrësin.

  Ç’përqasje ka pasur politika ndaj tij dhe anasjelltas?

Forumi ka qenë konsistent i pavarur dhe jashtë çdo trysnie politike në çdo lloj këndvështrimi, dhe se  është i fokusuar në problematikat qytetare, dhe për këtë iu ka bërë shpesh thirrje partive politike, që të kenë primare interesat e qytetarëve dhe bizneseveve, përpara interesave partiake që luhen në parlament. Nga ana tjetër ka dhënë shembuj konkretë në këtë drejtim, duke organizuar të parin debat në nivel lokal, midis forcave politike; shembull dhe në nivel kombëtar, përsa i përket problematikave të komunitetit.

Forumi është një risi,  një ide, një jehonë në një piazza shumë të politizuar dhe ka hasur vështirësitë e veta të adaptimit. Por në ditët e sotme, kur shpejtësia teknologjike ka arritur të fitojë terren, përkundrejt një konservatorizmi e indiferentizmi përkatës, dhe që djemtë e vajzat e Forumit që kanë kontribuar ndër vite, i kanë dhënë krahë dhe kanë ditur të notojnë në ujëra të pastra me zemër, vullnet dhe mbi të gjitha, me përkushtim dhe pasion. Është e domosdoshme që dhe shoqëria civile në zhvillim, në një qytet me një histori 2800 vjeçare të japë edhe ajo kontributin e saj, përtej frikokracisë dhe gjunafokracisë të afrohet dhe t’i bashkohet një modeli të veçantë e me atribute të pavarura, që sjellin dhe përcjellin ide, vizione, në të mirë  të zhvillimit. Idetë tona kanë qenë dhe janë energjia e pastër dhe alternative,  votat e emigrantëve dhe reforma përkatëse apo Maratona Ndërkombëtare.

Përgjithësisht forumet mbështeten mbi një platformë debatesh me tematika të caktuara. Mund të përmendni ndonjërën nga temat më pikante, për vitin në vijim?

Forumi ka një synim dhe në këtë aspekt do të jetë aty, në linjën e parë të zërit qytetar për të dhënë dhe përcjellë atë, sa më mirë. Forumi ka nevojë për energji dhe ta kthejë këtë energji në vizion dhe ky vizion të jetë solid në atë që synon. Mendoj që është herët për të thënë se cilat do të jenë planet e Forumit për vitin që vjen. Kam bindjen që do ketë disa surpriza, ashtu siç ka qenë dhe motoja  jonë “më shumë punë se sa fjalë”. Surprizat do të jenë, besoj të këndshme dhe uroj që të jenë në të njëjtin dimension me reagimet përkatëse. Jam i bindur që do të ketë diçka të re vitin që vjen dhe do jetë një risi , pse jo dhe në nivel kombëtar…, por le të presim deri atëherë.

 Së fundmi, ç’do t’u këshillonit politikanëve dhe drejtuesve që “kanë në dorë” fatin e qytetit të Durrësit ?

Përsa u përket këshillave, meqenëse shumë prej tyre i kam miq dhe komunikoj me ta një pjesë të kohës, në radhë të parë i falenderoj për ndihmën që kanë dhënë për promovimin dhe mbështëtjen e Forumit dhe se shumë prej tyre e kapën në kohë dhe konceptimin e tij, e mbi të gjitha perceptimin përkatës. Ashtu siç thotë dhe Kanti që njëra është në funksion të tjetrës, unë nuk jam person që jap shumë këshilla si natyrë dhe e kam parim që flas drejt në funksion të asaj që jeta, dhe eksperienca amerikane më ka mësuar të jem i hapur .

Të gjithë të mendojmë për  të ardhmen e Durrësit me një vizion dhe përkushtim të tillë që brezat t’i sjellin pranë vetes si model qeverisjeje. Nëse do më pyesnit për cilin vizion, kjo është personale dhe bën pjesë tek dëshirat e të gjithë atyre që u lindën, u rritën dhe u larguan me mall nga qyteti i tyre i zemrës për një jetë më të mirë. Ka vetëm një simbiozë për këdo që merr atribute drejtimi apo lufton për të : të sjellë pranë qytetarit, për qytetarin dhe në shërbim të qytetarit, kërkesat e jetës së përditshme të tij dhe të luftojë sa më shumë që këto të përmirësohen me një administrim dhe manaxhim të tillë, që të ndihet dora dhe emri i tij, ashtu sikurse ka për detyrë të mbrojë trashëgiminë kulturore dhe historike të një qyteti që për nga kultura dhe tradita flet më shumë se cilido qytet tjetër. Për ta mbyllur, Durrësi nuk është shtojcë e askujt, por është qyteti model dhe kjo duhet të jetë ikona e kujtdo.