Një ngjarje sa e çuditshme aq dhe e dyshimtë ka ndodhur në ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë këtë mëngjes.

Sipas asaj që raporton “Jeta osh qef”, një punonjëse e QSUT-së ka fotografuar disa kolege të saj, të cilat janë duke bërë një veprim tepër të dyshimtë në pjesën e pasme të godinës së urgjencës.

Ato i janë afruar një deleje që mbahet nga një burrë me litar dhe po i marrin gjak. Është e njëjta procedurë që ndiqet në rastet kur infermierët i marrin gjak një pacienti për të bërë analiza, apo kur një person dhuron ose shet gjak.

Punonjësja e QSUT-së shprehet e shqetësuar pasi nuk arrin ta kuptojë se përse kryhet ky veprim në ambientet e këtij spitali, i cili nuk është një spital veterinar, ku kjo gjë do të ishte më se e kuptueshme, por një spital për njerëzit. Ajo shtron pyetjen se ndoshta po bëhet ndonjë kërkim shkencor për ndonjë kurë, por këtë gjë nuk arrin ta besojë as vetë dhe për më tepër, nëse do të ishte kështu, gjaku i kafshës nuk do të merrej në mes të rrugës, në këtë mënyrë.

Nëse nuk është për kërkim shkencor, për çfarë mund t’ju shërbejë gjaku i kësaj deleje këtyre infermiereve? Në urgjencën e QSUT-së shkojnë çdo ditë qindra e dhjetëra persona që kanë nevojë për gjak apo shërbime të tjera. Ne shpresojmë që dikush të mund të zbardhë të vërtetën që fshihet pas këtyre fotove dhe më konkretisht pas veprimit të pashpjegueshëm të infermiereve”, shkruan “Jeta osh qef”.