Finalja e Romës shkon në llogarinë e Interit që fiton trofeun e parë të këtij sezoni rreth dy javë nga finalja e Kupës së Kampioneve.

Në “Olimpico” zikaltërit i dhuruan Inzaghit trofeun e dytë në stolin e skuadrës milaneze pas atij të Superkupës pasi mposhtën në finale Fiorentinën që për më tepër kaloi e para në avantazh me Nico Gonzalez menjëherë pas fillimit të ndeshjes.

Interi nuk e humbi llogjikën dhe me kalimin e minutave fitoi terren por ai që shkëlqeu ishte “demi” argjentinas Lautaro Martinez në formë fantastike me dy gola prej qëndërsulmuesi rrace.

Bomberi zikaltër riktheu qetësinë për ekipin e Inzaghit që më pas menaxhoi me mjeshtëri rezultatin edhe pse nuk ishte gjithmonë në kontroll të ndeshjes pasi rrezikoi në të paktën dy raste për të pësuar golin e barazimit.

Kjo është Kupa e nëntë e Italisë që shkon për skuadrën e Interit, ndërsa Fiorentina nuk e fiton këtë trofe që prej vitit 2001.