Këpucët e shtrenjta që tregtohen në Britani me vulën “Made in Italy”, ose “Made in Germany”, prodhohen në Shqipëri dhe vende të tjera të Evropës lindore, nga punëtorë që paguhen shumë pak dhe punojnë në kushte shumë të këqija. Në këtë konkluzion ka arritur britanikja “The Guardian”, pas një investigimi.

Në shkrimin e publikuar nga gazeta britanike, vendoset theksi tek kushtet tronditëse të punës dhe pagat e paligjshme që marrin punëtorët e fabrikave, ku prodhohen këpucët e destinuara për tregun e Mbretërisë së Bashkuar.

Raporti, i hartuar nga hulumtues britanikë nga grupe të ndryshme të të drejtave evropiane, është i bazuar në intervistat me 179 punëtorë në 12 fabrika.

“Nëse punëdhënësi ka nevojë për të përfunduar, le të themi, një urdhër prej 9.000 palë këpucë, edhe në qoftë se duhet të vdesësh në punë, ke për ti përfunduar ato,” – u tha një punëtor, hulumtuesve britanikë.

Një tjetër punëtor pretendon se një fabrikë e Maqedonisë, ku prodhohen këpucë të markës Geox, i paguan punëtorët 131 euro në muaj, duke përfshirë edhe punën jashtë orarit, duke shkelur ligjet vendase, pasi paga minimale në këtë vend është 145 euro.

Ndërkohë sipas raportit, një në tre punëtorë shqiptarë të pyetur deklaroi se paguhej më pak se paga minimale ligjore në Shqipëri. Punëtorët shqiptarë janë detyruar të prodhojnë deri në 60 palë këpucë në ditë, por paga e tyre nuk shkon më shumë se 121 paund në muaj, përfshirë orët jashtë orarit dhe shpërblimet. Hulumtimi tregon se punëtoret femra paguhen më pak se meshkujt.

Në Maqedoni, punëtorët ankohen se në fabrika përdoren kimikate të forta dhe ata shpesh kanë dhimbje, alergji e deri probleme me frymëmarrjen.

Rreth 24 miliardë palë këpucë prodhohen në mbarë botën çdo vit. Por çmimet për këpucët europiane janë më të larta. Këpucët që mbajnë firmën “Made in Italy” kushtojnë mesatarisht 39 paund, ndërsa ato kineze vetëm 3 paund.