Shtëpia e Bardhë e paralajmëroi përsëri Teheranit të dielën se do të përballet me përgjigje ushtarake, nëse nuk pranon arritjen e një marrëveshjeje për programin e saj bërthamor. Një ditë më herët, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei e hodhi poshtë kërkesën e Shteteve të Bashkuara për bisedime.

“Ne shpresojmë se regjimi i Iranit i zgjedh interesat e veta më të mira dhe popullin e vet në vend të terrorit”, tha zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Brian Hughes, në një komunikatë të dielën, duke i përsëritur deklaratat e presidentit Donald Trump, që tha se “nëse detyrohemi të futemi ushtarakisht, do të jetë e tmerrshme”.

Në një intervistë me Fox Business, Trump tha: “Ka dy mënyra për të trajtuar Iranin: ushtarakisht, ose duke bërë një marrëveshje” për ta parandaluar Teheranin nga sigurimi i armëve bërthamore.

“Ua kam shkruar një letër atyre, ku thashë, shpresoj që do të negocioni sepse, nëse duhet të veprojmë ushtarakisht, do të jetë e tmerrshme.  Po të isha në vendin e tyre, do të bisedoja për një marrëveshje. Nuk jam i sigurt se të gjithë pajtohen me mua, por ne mund ta arrijmë një marrëveshje që do të ishte po aq e mirë sa një fitore ushtarake”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë thënë prej kohësh se nuk do ta lejojnë kurrë Teheranin të fusë në dorë armë bërthamore, ndërsa Irani vazhdon ta pasurojë uraniumin në nivele pranë atyre të përdorura për prodhimin e armëve bërthamore.

Teherani ka këmbëngulur se programi i tij është vetëm për qëllime paqësore.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trumpi i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore dhe rivendosi sanksionet që ishin hequr sipas kushteve të saj.

Trump argumentoi se kushtet e asaj marrëveshje nuk ishin mjaftueshëm të forta për të parandaluar Iranin, nga sigurimi i armëve bërthamore dhe e akuzoi gjithashtu Teheranin për nxitjen e dhunës ekstremiste në rajon  akuza që Irani i ka mohuar pavarësisht provave të shumta.

Muajin e kaluar Khamenei deklaroi se ishte kundër bisedimeve të drejtpërdrejta me Trumpin, duke argumentuar se ai nuk është i besueshëm pasi braktisi marrëveshjen e vitit 2015.