Zbardhet dëshmia e kopshtarit Festim Bëxhdili në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në kompleksin “Golden” në Shijak, ku dyshohet se është vrarë Jan Prenga dhe më pas trupi i tij është zhdukur.

Në dëshminë e dhënë në gjykatë, Bëxhdili ka rrëfyer momentet kur katër persona të armatosur mbërritën në kompleks me një mjet tip Range Rover të bardhë. Ai ka treguar se i kanë kërkuar ujë dhe më pas i kanë komunikuar se “kishte vdekur njëri”. Kopshtari ka shpjeguar se më pas është ndihmuar për të zhvendosur një trup të pajetë nga Range Rover-i në një makinë tjetër, Fiat Doblo, që përdorej për furnizimet në kompleks.

“Isha duke pastruar pishinën, kur erdhi një Range Rover i bardhë dhe u fut në garazh. Ishin 4 veta të armatosur, nuk i njihja. Më kërkuan ujë dhe më thanë se kishte vdekur njëri. Ishin të frikshëm. E kaluam trupin nga Range në një Fiat Doblo. Më pas më kërkuan një kazmë dhe një lopatë. Nga gjuha dukeshin nga veriu. Në atë moment erdhi Altin Hajri, i shau dhe u tha: ‘Ç’doni këtu, po na merrni në qafë!’ dhe u kërkoi të largoheshin. Nuk e di çfarë ndodhi më pas. Pasi ata ikën, unë shkova në shtëpi në Kavajë”, tha ai në dëshminë e tij.

Bëxhdili është marrë në pyetje në gjykatë si i bashkëpandehur në një procedim të lidhur me çështjen.

Për këtë ngjarje janë nën akuzë Aldo Majnishta, Artan Docaj, Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Geraldo Martini, Korado Geshtenja dhe Martin Bleta. Siç raporton gazetarja Anila Hoxha, i vetmi që ndodhet në sallën e gjyqit është Dritan Rexhepi, ndërsa të tjerët janë në kërkim. Edhe Altin Hajri, i përfshirë në fashikullin hetimor, rezulton ende i pakapshëm nga autoritetet.