Pesë persona, të afërm me njëri-tjetrin, ishin futur për t’u larë dje pasdite vonë në lumin Drin, në Gjoricë të Bulqizës, ndërsa dyshohet se një vajzë rreth 7 vjeç është mbytur.
Burime pranë Policisë së Bulqizës bëjnë me dije se, gjatë kohës kur po laheshin, niveli i lumit Drin është shtuar pas hapjes së portave të hidrocentralit në Dibër të Madhe dhe për pasojë i ka marrë rrjedha e ujit.
Familjarët kanë njoftuar Policinë rreth orës 21:00 të mbrëmjes së kaluar. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku për rreth 4 orë kanë bërë të mundur shpëtimin e 4 personave.
Ndërkohë, vijojnë kërkimet për gjetjen e fëmijës, rreth 7 vjeç, që dyshohet se është marrë nga rrjedha e lumit.





