Një turist britanik 26-vjeçar, i cili ndodhej në zonën detare të Agia Agatha në Greqi, ka humbur jetën ditën e sotme në Rodos pasi u godit nga rrufeja.

Turisti i ri ka qenë në ujë kur binte shi dhe pavarësisht apeleve të turistëve të tjerë për të dalë, ai ka mbetur në det.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak para orës 2 të pasdites (ora greke). Menjëherë është njoftuar EKAV-i, ka shkuar me shpejtësi në vendngjarje dhe me ndihmën të tjerëve, i riu 26-vjeçar është dërguar në tokë ku ekipet e shpëtimit kanë luftuar për ta mbajtur në jetë.

Në të njëjtën kohë ka nisur edhe procesi i transferimit të tij në Qendrën Shëndetësore Archangelos, ku mjekët dhe stafi infermieror kanë vijuar betejën e shpëtimtarëve të EKAV-it për ta rikthyer në jetë, por fatkeqësisht ishte tepër vonë.

Për ngjarjen është vënë në dijeni Autoriteti Qendror Portual i Rodos, efektivët e të cilit do të kryejnë hetimet përkatëse për këtë ngjarje tragjike.