Një pallat në Tiranë është konfiskuar pas një operacioni të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe IMT-së. Sipas policisë, nga verifikimet e kryera, u konstatua se objekti kishte tejkaluar lejen e ndërtimit duke shtuar jashtëligjshëm katet 10, 11 dhe një pjesë të katit të 12-të, në një kohë që leja ishte vetëm për 9 kate.

Përveç tejkalimit të lartësisë, autoritetet bënë me dije se godina ishte vënë në shfrytëzim pa u pajisur me certifikatën e përdorimit.

Mësohet se, procesi i ndërtimit, i nisur fillimisht nga Mirsim Jella, e më pas u ndërpre prej tij për arsye financiare por u vijua nga Adriatik Shtëmbari. Ky aksion vjen si pjesë e masave për mbrojtjen e territorit dhe zbatimin e ligjit.

Policia e Shtetit dhe IMT, Bashkia Tiranë

“Konfiskohet për interes publik, objekt banimi dhe shërbimi në rrugën “Llukë Kaçaj”, ndërtuar dhe përdorur në kundërshtim me ligjin. Si rezultat i një aksioni të përbashkët ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe atyre të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Tiranë, nëpërmjet Drejtorisë së Monitorimit dhe Zbatueshmërisë së Lejeve të Ndërtimit, ndërmarrë në zbatim të ligjit dhe në mbrojtje të interesit publik, është konfiskuar për interes publik, objekt banimi dhe shërbimi, në rrugën “Llukë Kaçaj”, Njësia Administrative Nr. 4, Tiranë.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se ishte ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit, kati i 10 dhe i 11 i objektit 9-katësh dhe një pjesë e katit të 12 të tij. Gjithashtu, u konstatua se objekti ishte vënë në shfrytëzim, pa certifikatë përdorimi. Referuar Aktit Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025, tejkalimi rezultoi mbi pragun ligjor 10% të parashikuar për masën e konfiskimit për interes publik. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë, kanë referuar disa herë materiale procedurale në Prokurori, për shkelje të konstatuara në këtë objekt.

Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha agjencitë ligjzbatuese të ngarkuara për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme dhe krimeve kundër mjedisit në tërësi.”,njofton policia.