PADOVA, 3 maj 2013– Autoritetet shqiptare kanë pajisur me leje drejtimi automjetesh 5 iranianë, të cilët u arrestuan nga rrugorët italianë, të cilëve u kishin “vjedhur” identitetin.

Shtypi italian njofton se janë arrestuar pesë iranianë, pasi janë paraqitur si policë apo agjentë policie në mënyrë që të vidhnin motoristët në Italinë e veriut.

Policia rrugore në rajonin e Venetos i arrestoi të enjten pas një ndjekjeje me shpejtësi të lartë, ku u plagos një polic.

Policia tha se iu gjetën 10.500 euro dhe 10.000 franga zvicerane, përveç patentave shqiptare, lejeve të qëndrimit të falsifikuara spanjolle dhe katër veturave të përdorura.

Banda e hajdutëve kishin ngritur pika të rreme kontrolli me distinktivë falsë në autostradë, ku u merrnin turistëve dokumentet dhe të hollat nën pretekstin e kontrollit të vërtetësisë së tyre.

Shumica e viktimave ishin nga Irani, Afganistani, Pakistani dhe Turqia, tha policia.

Banda jetonte në zonën e liqenit Garda dhe arrestimi i tyre ishte pjesë e një hetimi më të gjerë nga ana e policisë rrugore në Padova, Verona dhe Vicenza.

Ka mbetur enigmë se si emigrantët nga Irani janë pajisur me dokumente zyrtare shqiptare.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/