Qytetari nr. 1 i Durrësit e pësoi vetë nga “teknologjia” e kurthit që i ngriti rivalit blu Ferdinand Xhaferraj për cilësinë e diellit dhe rërës nëpërmjet mediatizimit

DURRËS, 14 nëntor 2013 – Ndoshta, titulli i bujshëm i gazetës “Koha jonë” e 14 nëntorit 2013: “Shpëtim Gjika në gjyq, Vangjush Dako në prag” dhe çka përmbahej në shkrimin e së përditshmes zbardh dhe misterin e zbythjes së Dakos për armët kimike pas një telefonate të Kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhet për një vizitë në Malin e Zi. Madje dhe foton e faqes së parë KJ-ja e shoqëron me titullin: “Kryeministri Rama: ç’ke bërë Vangjush në Durrës se të përpiu e zeza?!” Kjo foto është shfrytëzuar dhe nga medie të tjera. Ndërkohë edhe një gazetë e afërt me PS-në si “Shqiptarja.com” e ka vënë në dukje qëndrimin e dyfishtë të Dakos (për më tepër korrespodenti vendor, që ka marrë OK-in e Dakos për rikthimin si zëdhënës në Këshillin e Qarkut, ka garantuar se do t’i neutralizojë shkrimet kundër tij).

BUMERANGU

Në prill 2011, para studentëve të universitetit publik “Aleksandër Moisiu” kandidatit për kryetar bashkie të PD-së Ferdinand Xhaferrajt i shpëtoi lapsusi duke premtuar përmirësimin e cilësisë së diellit dhe rërës. Rivali i tij Vangjush Dako e shfrytëzoi këtë batutë dhe ia dërgoi ish-kryeredaktorit të lajmeve në Vizion Plus Alfred Peza. 14 sekondat e videos (shih: http://www.youtube.com/watch?v=a-0UBjkEUeY) bënë bujë në “Fiks Fare” dhe në mediet shqiptare, forume sociale. Xhaferraj u bë “legjendë” dhe u diskreditua “në atë farë feje”. Kjo dhe për faktin se deklarimi në Durrës pasonte lapsusin tjetër për rikthimin e eshtrave të Ismail Qemalit. Por kjo “teknologji” iu kthye në bumerang Dakos. Më 13 nëntor 2013, korrespondentja e “News 24” Klodiana Haxhiaj raportoi kundërshtimin e qytetarit nr. 1 të Durrësit ndaj kalimit në port të lëndëve komike siriane. Lajmi i bujshëm u dha me titra dhe u përcoll kudo. Kjo bëri që Kryeministrin Edi Rama ta marrë në telefon Dakon, i cili u gjend në pozitën e mjerë të skeçit të famshëm: “Dridhe, Like!”. Dhe e “drodhi”!

STOPRRENIMIT.COM

Kjo është aspekti “konspirativ” i çështjes. Problemi qëndron më thellë. Në uebin e Edi Ramës “Stoprrenimit.com” janë hedhur me dhjetëra denoncime kundër ndërtimeve pa leje në Durrës, dy prej të cilave po i botojmë si faksimile. Në njërin është ky tekst: “Vendndodhja e ndërtimit: Rruga Tregtare, Durrës. Objekti i ndërtuar buzë rrugës tregtare është pa leje në kundërshtim të plotë me rregullat ndërtimore të zonës A ku nuk lejohen ndërtimet e reja. Dëmton në mënyrë ekstreme këtë zonë nga te cilat nuk ka marrë asnjë miratim dhe ka ngritur kate mbi lartësinë maksimale të ndërtesave të rrugës historike”. Në tjetrin: “Vendndodhja e ndërtimit: pranë portit detar, përballë selisë së PD-së, Durrës. Janë hedhur themelet e një ndërtimi pa leje shumë pranë pallateve ekzistuese [mbi shinat e trenit, pronë publike e Hekurudhave Shqiptare Sha]”. Në “stoprrenimit.com” ka foto nga rruga “Taulantia”, Currilat, Kallmi, “Aleksandër Goga” etj.

NGA SHKRIMI NË“KOHA JONË”, 14 NËNTOR 2013 “SHPËTIM GJIKA NË GJYQ, VANGJUSH DAKO NË PRAG”

Ldhur me temën e nxehtë të masakrimit, që u është bërë zonave bregdetare, nga abuzimi me pushtetin, Gjergj Zefi, një personazh i njohur i botës mediatike, por edhe i shoqërisë civile, ka denoncuar praninë e një tjetër masakre urbane, pas asaj të Vlorës. Fjala është për ndërtimet e bëra në zonat bregdetare të Durrësit.

–  Z. Zefi, denoncimi publik i praktikës së dhënies së lejeve të ndërtimit në rrugë abuzive, nga kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, ndezi sherrnajë? Si e gjykoni ju këtë skandal apo praktikë të zakonshme?

– Nëse zoti Gjika akuzohet për dy leje ndërtimi të dhëna në mënyrë klienteliste, pas vendimit të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, për ndalimin e lejeve, duke përdorur një datë të mëparshme, në Bashkinë e Durrësit, kryetari i saj Vangjush Dako, ka dhënë të paktën 70 leje të tilla. Prokuroria duhet të veprojë edhe për këtë. Vetëm në shëtitoren e plazhit numërohen rreth 30 ndërtime të ngritura në kundërshtim me të gjitha standardet urbane. Lejet e tyre janë dhënë po me të njëjtën logjikë korruptive, duke përdorur datat e mëparshme të mbledhjeve të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë, përpara vendimit për ndërprerjen e lejeve. Dhe të mos harrojmë që të gjitha këto leje dhe këto ndërtime të kundraligjshme janë dhënë gjatë kohës që kryeministër ka qenë Sali Berisha, prandaj dhe opozita hesht, se është pjesë e klientelës dhe e “marrë peng” nga mafia e betonit në Durrës. Në këtë qytet, biznesmenët e dy kampeve politike, të PS e PD, ditën zihen e natën hanë darkë bashkërisht, duke ndarë racionet se ku do të ndërtohen pallatet e tyre.

– A mund të përmendni, konkretisht, disa prej këtyre ndërtimeve, leja e të cilave është dhënë në rrugë abuzive, sipas jush?

– Pallati tek lulishtja “1 Maji” që ndodhet brenda qytetit të Durrësit, fare pranë bustit të Azem Hajdarit, pallati flagrant që ndodhet në ish-fidanishten ose aneksin e stadiumit, apo pallati gjigant tek ish-Rajoni i Policisë së qytetit, i cili, në mënyrë flagrante, po ndërtohet në pronën e një të persekutuari, pra duke i grabitur pronën qytetarit, siç thuhet në gjithë Durrësin. Mjafton vetëm vullneti i Prokurorisë dhe i pushtetit për t’i vërtetuar ligjërisht këto veprime e abuzime të njohura nga qytetarët durrsakë.

–  A keni fakte, d.m.th., dokumente, shkresa, për akuzat ndaj Vangjush Dakos?

– Ju lutem, çfarë faktesh kërkoni?! Gjithçka është në dritë të diellit. Ju mjafton vetëm një lëvizje në këmbë, nga Ura e Dajlanit tek Plepat, dhe të shikoni, me sy të lirë të gjitha shkeljet urbane, të shikoni se si kanë devijuar ndërtimet përtej shëtitores, që në vetvete nuk është thjesht një shëtitore, por është vija ndarëse e përcaktuar nga KRRTSH për të ndalur ndërtimet në rërë. Ju garantoj që ekzistojnë të gjitha faktet për shkeljet flagrante të ligjit nga zoti Dako, ashtu siç edhe po ju them se Prokuroria disponon shumë më tepër fakte se unë.

– Keni menduar ta denonconi në prokurori z. Dako?

–  Opinioni im është një kambanë për Prokurorinë, që me kryenisje të fillojë hetimet. Është detyrë e tyre formulimi i akuzës. Unë nuk kam interesa personale që të orientoj akuzë. Interesi im është publik dhe për këtë unë jam i gatshëm të kontribuoj, nëse duhet. Personalisht jam i bindur se ne nuk mund ta mashtrojmë më komunitetin ndërkombëtar me retorika antikorrupsion, pasi duhen veprime konkrete. Rasti i Kroacisë duhet të na bëjë të reflektojmë ku u arrestuan zyrtarë tepër të lartë të pushtetit. Jam i sigurt se ish-Kryeministri, ish-ministrat, kryetarët e qeverive vendore kanë shumë më tepër arsye për t'u gjykuar se Ivo Senader, i cili po vuan dënimin për favorizim të një kompanie austriake. Ka ardhur koha që ta shohim të vërtetën në sy!

– A thua se rastet Gjika e Dako, janë të vetmit, sporadike?

– Si rasti i Vangjush Dakos ka dhe plot raste të tjera, në të gjithë Shqipërinë, si në Shkodër, Velipojë, Sarandë, Ksamil etj., por e evidentova rastin e Durrësit si më flagrantin në bashkëveprimin e së keqes midis eksponentëve të krimit, në të majtë e në të djathtë.

– Si gjykoni se mund t’i dilet mbanë, për ta ndalur praktikën abuzive, që ka prodhuar masakrën urbane ?

– Për sa më sipër apeloj Prokurorinë, Byronë e Hetimit që po krijohet, por edhe vullnetin politik të kryetarit të mazhorancës, zotit Edi Rama, si edhe të faktorëve të tjerë politikë në vend, duke përfshirë edhe opozitën e vërtetë (jo ish-ministrat), që të koordinohen në një front për të shpëtuar shtetin ligjor në Shqipëri. Në këtë luftë frontale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk duhet të shmanget, për asnjë lloj arsyeje, asnjë zyrtarë i lartë i qeverisë së djeshme dhe të sotme, asnjë drejtues në nivel lokal apo shtetëror. Unë e përgëzoj Prokurorinë e shtetit për rastin e zotit Gjika (pa e paragjykuar aspak këtë të fundit, përderisa nuk është shpallur fajtor), por nuk mund ta fsheh skepticizmin tim lidhur me politikën e saj selektive. Intervistoi: Xhovani SHYTI

PËRGJIGJA E VANGJUSH DAKOS PËR “KOHA JONË”:

Duke dashur të respektojë palën e cenuar, nga akuzat e bëra prej z. Zefi, dje, gazeta iu drejtua për të dhënë një përgjigje z. Vangjush Dako, i cili, që prej disa viteve, drejton Bashkinë e qytetit të Durrësit. Megjithëse, në fillim, pyetjes së “Koha Jonë” z. Dako iu përgjigj me fjalët: “Sa denoncime të tilla mund të ketë për ndërtimet në qytetin e Durrësit”, në vazhdim pranoi të japë përgjigjen e mëposhtme, të cilën po e japim të plotë: “Të gjitha ndërtimet, për të cilat ju thoni se janë pa leje, apo me leje të dhënë në rrugë abuzive, janë të ligjshme. Duhet të keni parasysh se, që nga viti 2011 e deri më sot, Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT) i Bashkisë së Durrësit nuk funksionon dhe, për pasojë, gjatë kësaj periudhe kohore nuk ka leje ndërtimi të miratuara prej kësaj KRRT-je, nuk janë dhënë leje për asnjë lloj ndërtimi. Për sa u përket lejeve të ndërtimit të dhëna përpara kësaj kohe, pra përgjatë periudhës 2007-2011, janë të gjitha të ligjshme, ligjore. Janë leje ndërtimi të miratuara me votat unanime të gjithë anëtarëve të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë, pra me pesëmbëdhjetë vota pro dhe zero kundër. Kështu që lejet e dhëna për ndërtime janë të gjitha të ligjshme, janë leje në përputhje me ligjet në fuqi”.

DAJTI: PRISHJA E NDËRTIMEVE DO TË NISË EDHE NË DURRËS

Pyetjes nëse do të ketë aksion për prishje ndërtimesh edhe në Durrës, dhe kur do të fillojë prishja, kreu Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK), Zyhdi Dajti, i është përgjigjur pohueshëm. “Do të ketë prishje të ndërtimeve pa leje në Durrës, por ende nuk është e përcaktuar as data dhe as numri, apo zona”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/