Në datat 11-13 tetor artdashësit e qyteteve të Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit do të kenë mundësi të ndjekin koncertin recital të këngëtares Fjoralba Turku. Koncerti i Turkut mundësohet falë bashkëpunimit me ambasadën gjermane, në kuadër të muajit gjerman të kulturës. Po cila është kjo vajzë e re që këndon jazz dhe ka mahnitur jo pak gjermanët me zërin e saj mjaft të ngrohtë dhe njëkohësisht të egër siç e cilëson kritika?

Fjoralba Turku është një këngëtare e re nga qyteti i Durrësit që prej rreth 20 vitesh jeton dhe banon në Gjermani. Ishte vetëm 9 vjeçe kur u largua nga vendlindja e saj për t’u transferuar së bashku me familjen drejt Mynihut. Duket se lidhja e saj me muzikën është mjaft e hershme për faktin e thjeshtë se është rritur në një familje muzikantësh të talentuar. I ati, Fagu Turku është violinist dhe mësues muzikë në Munih. I vëllai, Rudens Turku, ka arritur të ndërtojë një karrierë ndërkombëtare si violinist solo. Ajo vetë kishte studiuar violinën në fëmijëri, por nuk shihte ndonjë të ardhme si muzikante. Por nganjëherë kthesat e fatit janë të papritura dhe sot Fjoralba e sheh muzikën si pasion dhe si profesion. Megjithëse e rritur dhe e shkolluar në vend të huaj, megjithëse ka qenë në kontakt me rryma muzikore që në vendin tonë lëvrohen pak, ajo e ka ruajtur të paprekur dashurinë e saj për vendlindjen dhe muzikën shqiptare. Ndërsa është prezantuar në tregun ndërkombëtar me dy albume, pjesë e tyre janë dhe këngë shqiptare të përshtatura në versionin jazz. Në intervistën e dhënë për “Dyrrah”, Fjoralba thotë se ka qenë pikërisht muzika shqiptare ajo që e ndihmoi të gjente zërin e saj, të zbulonte gjithë potencialin që zotëronte. “Gjej atë pjesë që më prek dhe provoj të jap diçka të veçantë nga vetja ime”,- thotë këngëtarja 28 vjeçare. Duket se Fjoralba e ka gjetur veten me muzikën që interpreton dhe po rritet profesionalisht. “Kam hedhur një tjetër hap,- thotë ajo,- sepse tani mund të punoj me zërin tim ashtu siç punojmë me një instrument”.

Para pak ditësh Fjoralba festoi ditëlindjen e saj. Suksese të mëtejshme dhe realizim të të gjitha dëshirave është urimi me gjithë zemër për këtë zë të mrekullueshëm që çuditi botën e Jazz-it.

Fjoralba, puna të lidh me njerëz të ndryshëm. Si prezantohesh me ta? Janë kuriozë të dinë se nga je?

Muzika më jep rastin të kaloj në shumë vende të ndryshme të botës dhe të takoj njerëz të ndryshëm dhe shumë interesantë. Shpesh qëllon të flasim mes nesh në gjuhë të ndryshme dhe bëjmë mix anglisht, frëngjisht, portugalisht, si të qëllojë. Jemi të tërë me një back ground të ndryshëm dhe është normale.

Sinqerisht n.q.s nuk është fjalia e dytë, e treta është patjetër prezantimi që unë bëj edhe sikur të mos më pyesin fare se nga jam: Hej,-u them,- a e dini që unë jam shqiptare! Për mua është kënaqësi të prezantoj vendin tonë. Shpesh njerëzit gënjehen nga gjermanishtja ime pa akcent të huaj, por menjëherë i them që jam shqiptare e shkolluar dhe e kulturuar në Gjermani, ndërsa Shqipëria është vendi i fëmijërisë sime, baza e jetës.

Keni shumë vite që jeni larguar nga Shqipëria. Sa ka ndikuar muzika shqiptare në formimin tuaj artistik dhe në interpretimin e muzikës jazz?

Kam dëgjuar që fëmijë muzikën shqiptare të kënduar dhe të luajtur me violinë. Babai im ka interpretuar për vite të tëra me këngëtarë të dëgjuar të muzikës shqiptare, vlen të përmend këtu të madhen Vaçe Zela. Si fillim luajta muzikën standart të Jazz-it , por më vonë, me ndihmën e Geoff Goodman që kompozoi enkas për zërin tim dolëm me një muzikë të re. Në kërkim e sipër zbulova që ishte shumë e natyrshme për mua të këndoja këngët e vjetra shqiptare, këngët popullore.

Me pianisten Andrea Hermenau, gjatë bashkëpunimit për diskun e parë, zhvilluam një muzikë të re të përshtatur për muzikalitetin e zërit tim që e kishte zanafillën prej muzikës shqiptare të gërshetuar me elemente të jazz-it. Andrea arranzhoi më së miri në jazz muzikën shqiptare. Kënga afron identitetet e mia; shqiptare e lindur dhe e rritur në Gjermani. Unë ndjehem mirë mes këtyre dy vendeve, mes këtyre dy kulturave shumë të ndryshme. Kënga shqiptare më ndihmoi të gjej zërin tim si këngëtare.

Si ndjehemi meqë për herë të parë do të jepni shfaqje para publikut shqiptar? Çdo të thotë të rikthehesh artistikisht në Shqipëri?

Mund të them që kam kënaqësi të madhe të interpretoj në Shqipëri, edhe pse janë pak ditë. Ndjej gëzim tek afroj edhe më shumë 2 anët e jetës sime, Shqipërinë dhe Gjermaninë. Realizimi i këtyre koncerteve nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen që më dha ambasada gjermane. Gëzohem të prezantoj Shqipërinë si shqiptare dhe Gjermaninë si vendi, ku u rrita dhe u kulturova. Emocionet para publikut janë gjithmonë të forta, çdo shfaqje më emocionon dhe më gëzon. Mezi pres të vij (të filloj turneun).

Kam dëgjuar që fëmijë muzikën shqiptare të kënduar dhe të luajtur me violinë. Babai im ka interpretuar për vite të tëra me këngëtarë të dëgjuar të muzikës shqiptare, vlen të përmend këtu të madhen Vaçe Zela. Në kërkim e sipër për muzikën ku gjeja veten, zbulova që ishte shumë e natyrshme për mua të këndoja këngët e vjetra shqiptare, këngët popullore

Çfarë projektesh ka Fjoralba në të ardhmen?

Deri tani jam shumë e kënaqur me arritjet si profesionale ashtu edhe ato në jetën private. Në fillim të vitit 2013 do të regjistroj diskun e tretë solo dhe jam shumë e gëzuar, pasi është një bashkëpunim i ri me muzikantë nga Franca dhe Argjentina. Këtë vit pata një turne në Kanada (në muajin janar) dhe në Indi, si dhe punoj në një shkollë muzike. Në projektet e mia të ardhshme përfshihen koncerte në disa vende europiane. Kam patur përshtypjet më të mira nga kritika muzikore për albumin e dytë “Serene”.  Nuk mund të ankohem dhe dua vetëm kënaqësi dhe shëndet për të dashurit e mi dhe për të tërë që më dhurojnë dashuri dhe ngrohtësi.

Kush është Fjoralba Turku?

Fjoralba Turku ishte vetëm 9 vjeç, kur u largua nga Shqipëria. Gjithsesi, pavarësisht se në moshë të njomë, lidhjet e saj me muzikën shqiptare kanë qenë të forta. Pikë së pari këtu ka ndikuar babai i saj, një violinist i talentuar që ka interpretuar për këngëtarë të njohur shqiptarë, mes tyre dhe e madhja Vaçe Zela. Ndoshta ka qenë ky kontakt i parë, që ka shënjuar pastaj gjithë rrugën e formimit artistik të Fjoralbës dhe rikthimin në muzikën e vendit të saj. Pas 20 vitesh ajo rikthehet në  Shqipëri me një bagazh të madh muzikor dhe eksperiencash dhe me një koncert recital.

“Jazz-i është shumë i gjallë”,- thotë Fjoralba. Ishte Parisi që e lidhi atë me muzikën jazz, pasionin e saj të ri. Aty shkoi pas maturës, për të studiuar letërsinë franceze dhe për t’u njohur me kulturën pariziene.

Do të kalonin disa vite derisa pasioni i saj për jazz-in do të shndërrohej në profesion. Më së fundi vendosi të interpretojë “There be none of Beauty’s Daughters” si dhe “She walks in Beauty”, dy këngë sa të mrekullueshme aq dhe tepër të vështira për t’u interpretuar, të marra nga poezitë e Lord Bajronit. Që atëherë jeta e saj ndryshoi radikalisht. Filloi shkollën e jazz-it të cilën e përfundoi në qershor të 2010. Vetëm 4 vjet më parë ajo filloi një kurs kënge me kitaristin dhe kompozitorin nga New York, Geoff Godman. Paralelisht nxori dhe albumin e saj të parë "Joshua" (emri i djalit të saj) me shtëpinë diskografike "Traumton". Në shkrimet kritike që pasuan promovimin e albumit ajo u cilësua Zbulimi i Vitit. Gërshetimet e herëpashershme të muzikës shqiptare, me ndjenjën dhe harmoninë e muzikës gospell, në një stilistikë të patjetërsuar dhe shumë individuale është kjo pika e fortë e Fjoralbës, ku ajo vallëzon me zërin e saj në një mënyrë të paharrueshme! "Bashkëpunimi me muzikanë të shquar ka ndikuar në suksesin tim, ndaj është për mua shumë i çmuar. Ju ofroj atyre një besim të madh sikundër dhe ata më ofrojnë po këtë besim në bashkëpunimin tonë”, – thotë Turku. Duket se kjo është një arsye e fortë që shpjegon pse emri i saj po bëhet gjithnjë e më i suksesshëm në rrethet muzikore.

Albumi i dytë "Serene" ka një ndjenjë Shqipërie të theksuar. Kënga shqiptare zë një pjesë të rëndësishme të repertorit të saj. Fjoralba arriti të realizojë premtimin që kishte bërë për të prezantuar gjuhën e vendlindjes së saj, Shqipërisë, me një zë plot forcë dhe pjekuri të paparë.

Në këtë album Turku vjen me një interpretim shumë personal dhe me një ngjyrim të ri. Fjoralba konfirmoi edhe njëherë vlerësimin e merituar që i bëri kritika dhe muzikantë të ndryshëm që besojnë dhe shpresojnë në kete zë me një talent imponues, zë të fuqishëm që tregon histori me këngët e saj .

Kanë thënë për Fjoralbën

Revista JAZZTHING –Fjoralba Turku, ky është një emër që patjetër duhet mbajtur mend

Marcus A. Woelfle– Kur një artist prezanton albumin e tij të parë, zakonisht cilësohet “premtues”. Por Fjoralba Turku nuk ka nevojë të premtojë asgjë. Ajo është aty. Kjo shqiptare e re duket se do të jetë zbulimi më i madh i muzikës jazz për vitin 2010. 

Kritika do të shkruante në vitin 2010: “Çfarë shfaqjeje!”, “Zbulim i vitit 2010 në mes të këngetaret të muzikës jazz”  

Edmonton Journal, gazetë kanadeze: Një zë i zhdërvjellët, mahnitës dhe i fuqishëm, një zë që tingëllon herë nordik i çelët, herë i egër si Europa Juglindore