Deputetja Ina Zhupa ka njoftuar se ka depozituar në Kuvend projektligjin për shfuqizimin e menjëhershëm të Ligjit nr. 21/2024 “Për Zonat e Mbrojtura” dhe rikthimin e standardeve të mbrojtjes së zonave të mbrojtura në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, konventat ndërkombëtare dhe standardet europiane për mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë natyrore.
Ajo shprehet se ligji ka cenuar rëndë parimet kushtetuese të mbrojtjes së mjedisit dhe ka hapur rrugën për zhvillime intensive ndërtimore e turistike brenda zonave të mbrojtura, duke dobësuar mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes mjedisore.
Reagimi;
Kam depozituar projektligj për shfuqizimi i menjëhershëm i Ligjit nr. 21/2024 dhe rikthimi i standardeve të mbrojtjes së zonave të mbrojtura në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, konventat ndërkombëtare dhe standardet europiane për mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë natyrore si dhe zbatimin e kërkesës se Komisionit te Jashtem te Parlamentut Europian.
Për herë të parë, edhe raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian ka kërkuar shprehimisht shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin “Për Zonat e Mbrojtura”.
Në pikën 46 të raportit theksohet se këto ndryshime “lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore”.
Ligji 21/2024 “Për Zonat e Mbrojtura” përbën një nga ndërhyrjet më problematike ligjore ndaj mbrojtjes së mjedisit, trashëgimisë natyrore dhe interesit publik në Republikën e Shqipërisë. Ky ligj ka cenuar rëndë parimet kushtetuese të mbrojtjes së mjedisit dhe ka hapur rrugën për zhvillime intensive ndërtimore e turistike brenda zonave të mbrojtura, duke dobësuar mekanizmat e kontrollit dhe mbikëqyrjes mjedisore.
Ky qëndrim i institucioneve europiane provon qartazi se ligji bie ndesh jo vetëm me interesin publik dhe mbrojtjen e pasurive natyrore kombëtare, por edhe me standardet dhe detyrimet që Shqipëria ka në kuadër të integrimit europian. Ndërkohë që Bashkimi Europian forcon politikat për mbrojtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, qeveria shqiptare ka zgjedhur të liberalizojë ndërtimet dhe të favorizojë interesa klienteliste në dëm të mjedisit.
Ky ligj praktikisht zhvesh nga mbrojtja reale zonat e mbrojtura dhe i kthen ato në hapësira për investime strategjike sipas interesave private. Precedenti i Parkut Kombëtar të Butrintit tregoi qartë orientimin e qeverisë për të deleguar dhe privatizuar menaxhimin e pasurive publike kombëtare. Ndryshimet e vitit 2024 e thellojnë këtë model duke lejuar ndërhyrje masive në territore që duhet të gëzojnë mbrojtje maksimale.
Ligji binte ndesh me detyrimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, konkretisht:
- me nenin 56 të Kushtetutës, i cili garanton të drejtën e qytetarëve për një mjedis të shëndetshëm dhe detyrimin e shtetit për mbrojtjen e tij;
- me nenin 59 pika 1/d dhe 1/g të Kushtetutës, që kërkojnë ruajtjen e mjedisit dhe trashëgimisë natyrore për brezat e ardhshëm;
- me nenin 82 të Kushtetutës, pasi projektligji nuk u shoqërua me raport të plotë të efekteve financiare;
- me parimin kushtetues të solidaritetit ndërbrezor, që imponon detyrimin për të mos dëmtuar pasuritë natyrore dhe trashëgiminë kombëtare.
Për rrjedhojë, Ligji nr. 21/2024 cenon rëndë interesin publik, bie ndesh me Kushtetutën dhe me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë për mbrojtjen e biodiversitetit dhe trashëgimisë natyrore. Ai krijon kushte për shkatërrimin gradual të zonave të mbrojtura në favor të interesave të ngushta private dhe oligarkike, duke dobësuar kontrollin institucional dhe mbrojtjen mjedisore.
Duke marr parasysh se mazhoranca e miratoi edhe me rezolutë qe do zbatoj detyrimet e nxjerra nga parlamenti europian. I ftoj ta votojne pro projektligjin tim.





