Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për marrjen e një mase disiplinore ekstreme ndaj deputetit të opozitës, Agron Shehaj.

Sipas kërkesës, PS pretendon se gjatë seancës plenare të 11 qershorit, deputeti Shehaj ka përdorur një gjuhë “të rëndë fyese, denigruese dhe kërcënuese”. Incidenti ka ndodhur gjatë dy interpelancave, konkretisht me ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, ku diskutohej mbi të ardhurat nga koncesionet.

Në dokument thuhet se:

Deputeti Shehaj i është drejtuar me tone agresive ministrit, deputetëve të shumicës dhe drejtueses së seancës.
Ndonëse ndaj tij u morën masa të përshkallëzuara si “tërheqje vëmendjeje” dhe “heqje e së drejtës së fjalës”, ai nuk ka reflektuar duke vijuar me të njëjtën sjellje.

Kërkesa bazohet në nene specifike të Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit, duke përfshirë edhe prova filmike të seancës.

Përfaqësuesit e mazhorancës, mes të cilëve renditen firma si ajo e Taulant Ballës, Antoneta Dhokos dhe deputetëve të tjerë, kërkojnë zyrtarisht Përjashtimin nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 30 ditë për deputetin Agron Shehaj.