Sherif Kallaku u rikthye te Teuta, këtë herë i huazuar nga Lokomotiva e Zagrebit. Fantazisti foli për mediet rreth duelit të ditës së nesërme ndaj Inter Escalades në Conference League. Takimi i parë i raundit të dytë do të zhvillohet në Durrës dhe Kallaku beson fort te fitorja dhe kualifikimi.

RIKTHIMI – “Normalisht që ndihem shumë i lumtur, pasi zgjedhja për t’u rikthyer në Durrës ishte e imja. Shpresoj që të paktën deri në janar, që unë kam kontratën e huazimit, të jap më të mirën dhe të jem me Teutën në vendet e para, dhe pse jo të kualifikohemi me Interin”.

KUNDËRSHTARI – “I kemi parë në analiza. Unë i njoh pak më shumë, pasi kam bërë ndeshje kualifikuese me Shqipërinë U21 me Andorrën. Kanë të njëjtën filozofi, rrinë shumë mbrapa dhe janë shumë agresivë. Do mundohemi ta mbyllim që në ndeshjen e parë, pasi më pas do të jetë problem për ndeshjen e kthimit”.

SHANSET – “Jemi shumë favoritë në letër, por duhet të kemi përqendrim maksimal në fushë. Teuta ka hasur gjithmonë probleme me ekipet e vogla. I kemi studiuar, por nuk mund të them që kemi kapur pika të dobëta. Ata kanë afruar pesë lojtarë të rinj në ekip.

Jemi fokusuar te loja jonë, do ia dalim me sukses nëse realizojmë lojën tonë ashtu siç duhet. Tifozët? Më kishin munguar shumë, shpresoj që nesër, ashtu siç ishin me Sheriffin, të jenë sa më shumë dhe të na mbështesin sa më shumë”.