Kamera e sigurisë së një biznesi në rrugën “Ramazan Jella” përbri PD-së së qytetit të Durrësit, duket se ka konstatuar autorin e shpërthimit që ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit.

“DurrësLajm” mëson nga burimet policore se ai është një djalë i ri me kapele në kokë, që lëvizte me biçikletë. Në ecje e sipër, autori është filmuar duke hedhur lëndën plasëse poshtë makinës.

Policia thotë se po analizon pamjet filmike të siguruara për të bërë të mundur identifikimin e autorit dhe për të hedhur dritë mbi ngjarjen.

Ndërkohë do të merren në pyetje edhe dy shoferët e makinave të parkuara, të cilat pësuan dëme të lehta materiale, mjeti tip “Renault” në pronësi të shtetasit A.Cumani dhe mjeti tjetër tip “Ford” në pronësi të një ekonomisteje, për të zbuluar nëse kanë ndonjë konflikt.

Vijon hetimi për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje.