Kandidati demokrat Igli Cara, teksa ka zhvilluar takimet e fundit me qytetarët në Durrës, i ka ftuar ata të votojnë për ndryshimin, për kthimin e shpresës dhe për t’u ndarë nga gjendja e pasigurisë ku është zhytur e gjithë shoqëria jonë sot.

“Çdo qytetar që sot është i prekur nga mosrritja e pensioneve, nga rritja e çmimeve, nga largimi i të rinjve, – ka thënë Cara, – ka arsye për të votuar për ndryshimin. Të gjithë janë të prekur. Sot të gjithë qytetarët kanë një ekonomi më të rënduar, u ka humbur shpresa, janë të pasigurtë, ndaj ju ftoj që të dielën të dilni dhe të votoni për ndryshimin.”

“Nuk ka më asnjë dyshim se programi i Partisë Demokratike është shumë më i mirë për qytetarët, – ka vënë në dukje kandidati demokrat. – Edi Rama nuk ka bërë asnjë punë në tetë vite, vetëm sa ka vjedhur me bandën e tij në qeveri, dhe tani nuk ka më as alternativë.”

“Ju ftoj që, me zemër dhe mendje, të vendosni dhe të zgjidhni atë çfarë është më e mira për të gjithë ne, – ka shtuar Cara. – Ju ftoj që, me zemër dhe mendje, të vendosni dhe të zgjidhni ndarjen nga e keqja që na qeveris, të vendosni për ndryshimin që të gjithë duam.”

Ai ka shtuar, gjithashtu, se edhe miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtare presin ndryshimin, presin kthimin e normalitetit në vend. Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit ka bashkëbiseduar me qytetarët për rëndësinë e vetë pjesëmarrjes në votime.

“Secili prej nesh ka një pushtet të madh në dorë, që e ka një herë në katër vjet për qeverisjen qendrore dhe një herë në katër vjet për qeverisjen vendore, – ka nënvizuar Cara. – Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe të votojmë. Askush nuk mund të jetë pasiv për votimin, sepse dikush mund të thotë që unë nuk merrem me politikë, por mos harro se politika ndikon në jetën tënde, apo dikush mund të thotë që unë nuk dua asnjë forcë politike, por mos harro që, po nuk votove, këta politikanë ndikojnë te jeta jote.”

“Mesazhi im është që të dilni e të votoni, – ka thënë Cara. – Ju ftoj të votoni Partinë Demokratike, ju ftoj të votoni për ndryshimin, por e rëndësishme është që të gjithë të dalim dhe të votojmë për të treguar forcën e votës së gjithësecilit.”

Ai ka kujtuar edhe mesazhet e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët, sipas Carës, “kanë folur shumë qartë.”

“Mesazhet janë të qarta për këdo që don të shohë dhe të dëgjojë, – vuri në dukje kandidati i Partisë Demokratike. – Mesazhi i ambasadores amerikane Yuri Kim ishte i qartë. Nëse doni ndryshimin, votoni ndryshimin. Nëse doni kriminelët, votoni kriminelët.”

“Të votojmë për ndryshimin, të votojmë për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë, të votojmë kundër keqqeverisjes, të votojmë për të treguar se ne duam të jeojmë më mirë dhe në një vend më të mirë,” – ka theksuar kandidati demokrat Igli Cara gjatë takimeve të tij të fundit me qytetarë të Durrësit.