Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Irani ka pranuar pjesën më të madhe të kushteve të vendosura nga Uashingtoni gjatë negociatave të fundit. Në një intervistë për televizionin “CNBC”, Trump theksoi se Teherani ka “rënë dakord për pothuajse gjithçka që na nevojitet”.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë sqaroi se Shtetet e Bashkuara nuk synojnë përmbysjen e pushtetit në Teheran, por ripërsëriti vijën e kuqe të prerë të administratës së tij: “Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”.
Gjatë fjalës së tij, Trump përdori një gjuhë të ashpër, duke pretenduar se Irani është “shuar plotësisht ushtarakisht”. Megjithatë, ai pranoi se vendi posedon ende kapacitete të caktuara raketore. “Ata kanë disa raketa të mbetura, por ne mund t’i shkatërrojmë edhe ato”, u shpreh presidenti amerikan.
Më tej, ai e krahasoi sjelljen e Iranit në rajon me atë të një “fëmije të llastuar” që përballet me një realitet të ri, si dhe e cilësoi shtetin islamik si “ngacmuesin e Lindjes së Mesme”.
“Është njësoj sikur të jesh një fëmijë i llastuar nga prindërit dhe papritmas ata të trajtojnë ashpër; të duhet pak kohë që të mësohesh me këtë”,- tha Trump.
Këto deklarata vijnë në një moment kyç, pasi gjatë kësaj jave në Katar kanë nisur bisedimet zyrtare për të negociuar një marrëveshje përfundimtare që synon t’i japë fund luftës me Iranin. Raundi i radhës i këtyre negociatave pritet të zhvillohet pas përfundimit të ceremonisë së varrimit të ish-udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.





