Trafiku i rënduar në rrugët kryesore të Durrësit, të cilat u ngushtuan njëra pas tjetrës gjatë viteve të fundit, është një fenomen i përditshëm që e vuajnë drejtuesit e mjeteve.
Në jo pak raste, “DurrësLajm” ka trajtuar problematikën e trafikut, trotuareve të zgjeruara në kurriz të akseve të ngushtuara apo mungesën e parkingjeve publike në një qytet që renditet pas Tiranës për numrin e automjeteve.
Sondazhi që hapëm vetëm për pak orë tregoi qartë atë që të gjithë e dimë; projektet e ndërhyrjes në insfrastrukturën e rrugëve kryesore në qendër të qytetit nuk shihen nga qytetarët si investime që i shërbejnë të ardhmes së Durrësit si qytet porti më i rëndësishëm i vendit dhe një nga qytetet me rëndësinë më të madhe ekonomike.
Pyetjes: A i kanë shërbyer qytetit dhe qytetarëve projektet për ngushtimin e rrugëve?, pjesëmarrësit ju përgjigjën në shumicë absolute (84%) me JO.
Vetëm 16% e tyre i shihnin këto projekte në të mirë të qytetit.
Bllokimin e ambulancave në rrugë, apo parkimit të makinës zjarrfikëse mbi trotuar, sepse nuk kishte ku të qëndronte prej rrugës së ngushtuar vetëm me dy korsi, “DurrësLajm” e ka dokumentuar disa herë.
Paraditen e sotme, fotografi Denis Simaku fiksoi momentin kur një zjarrfikëse ishte bllokuar në një aks rrugor pranë sheshit “Pranvera” prej një automjeti që kishte ndezur bllokazhin në rrugë dhe drejtuesi kishte shkuar të mbaronte një punë aty pranë.
Në këtë rast, papërgjegjshmëria e një drejtuesi mjeti i kushtoi minuta të vlefshme dikujt, që kishte thirrur zjarrfikësen për të ndërhyrë në kohë.
Të kombinuara të gjitha bashkë, rrugë të ngushta, mungesa parkimesh anës rrugës, parkime vend e pa vend dhe në radhë dyshe, trafiku i rënduar në sezonin veror që po afron pritet ta kthejnë Durrësin në një qytet të pajetueshëm për ata që jetojnë e qarkullojnë çdo ditë në akset e tij.





