Një sasi prej rreth 20 kg lëndë narkotike, e dyshuar si heroinë, e cila mendohet se kishte si destinacion parësor Italinë, u sekuestrua mbrëmjen e së enjtes në Portin Detar. Antidroga e Durrësit arrestoi në flagrancë Gentian Fejzi, 38 vjeç, lindur në Kolonjë e banues në Tiranë, i cili në pikën e kalimit kufitar, gjatë një kontrolli të ushtruar në automjetin që drejtonte, tip Mercedez Benz me targa AA 880 DP, ju gjet një sasi lëndë narkotike me peshë rreth 20 kg. Burime të policisë bëjnë të ditur se droga ishte fshehur në dyshemenë e kabinës së mjetit, e cila ishte dopiuar. Lënda narkotike ishte fshehur në 37 pako me peshë totale 19 kg e 726 gramë.

Policia e Durrësit bëri me dije se në cilësinë e provës materiale këtij shtetasi iu sekuestrua automjeti, dy telefona së bashku me tre karta SIM si dhe shuma prej 1.200 eurosh. Lidhur me rastin në fjalë po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike si dhe përcaktimin e itinerarit të saj. Do të jetë Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë që do të ndjekë hetimet e mëtejshme për këtë shtetas mbi të cilin rëndon akuza e trafikimit të lëndëve narkotike. Kjo është sasia më e madhe e drogës, e llojit heroinë, e kapur në portin e Durrësit. Në tregjet perëndimore ajo kap vlerën prej 250 mijë euro.