Policia metropolitane londineze ka ngritur akuza ndaj një shqiptari për vrasjen e një bashkëkombësi të tij në vitin 2022 në Leytonstone në lindje të kryeqytetit Britanik.
Ndaj Sabajet Shutit, i moshës 30 vjeç, rëndon akuza për vrasjen e Lumturi Zeqja më 21 tetor 2022.
Policia metropolitane, e cila hetoi këtë ngjarje, thotë se ndaj 30-vjeçarit Sabajet Shuti, rëndojnë edhe akuza të tjera si plagosja e një personi tjetër, prishje e qetësisë publike dhe mbajtje e një thike.
Menjëherë pas këtij krimi Sabajet Shuti kishte mundur të dilte nga Anglia dhe kishte zgjedhur si vend fshehje Suedinë, nga ku u kap dhe u ekstradua për t’u përballur me drejtësinë britanike.
Lumturi Rexha, një 27-vjeçar shqiptar në Londër, mbeti i vrarë teksa mbronte mikun e tij gjatë një grindjeje. Ai u vra teksa po përpiqej të mbronte mikun e tij në një përleshje në rrugë, në lindje të Londrës. Kanë qenë miqtë ata që i janë gjendur pranë në momentin e plagosjes, ndërsa ka mbetur i shtrirë në kopshtin e ambientit ku ndodhi ngjarja. Ai u vra në Church Lane të Leytonstone në orën 23:00 para syve të miqve.